Diskutohet propozimi i RrGK-së që monumenti Heroinat të emërohet “Sevdije Ahmeti” 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 19 shkurt 2019 ka dërguar një propozim te kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti që në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pas një lufte të shenjtë të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, të emërojë sheshin ku është vendosur monumenti Heroinat, me emrin e një personaliteti të gruas, kontribuese e madhe për të drejtat e njeriut, veçmas për të drejtat e gruas, Sevdije Ahmeti (1944-2016).  

Me këtë rast me 7 maj me ftesë të kryetarit Ahmeti u mbajt një takim ndërmjet kryetarit Ahmeti dhe Drejtores Ekzekutive të RrGK-së Igballe Rogova, për të biseduar më shumë lidhur me këtë propozim.  

Kujtojmë se Sevdije Ahmeti është njëra ndër aktivistet e para për të drejtat e grave në Kosovë, lëvizje që nisi në vitet e ’90-ta krahas kërkesës për liri dhe pavarësi. 

Kryetari Ahmeti në parim u pajtua me propozim e RrGK-së, mirëpo ky propozim pritet të diskutohet dhe me shpresë edhe të aprovohet në Asamblenë e Komunës së Prishtinës.