Drejtësi për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore: një histori suksesi nga Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, duke dëshmuar se drejtësia mund të arrihet edhe përballë proceseve të gjata dhe sfiduese.

Historia e A.B. pasqyron forcë, qëndrueshmëri dhe rëndësinë e mbështetjes adekuate. Si e mbijetuar e dhunës në familje, ajo ndërmori një hap të guximshëm në vitin 2022 duke kërkuar divorc dhe kujdestarinë për fëmijët. Me mbështetjen e avokatit të RrGK-së, ajo nisi procedurën ligjore me synimin për të siguruar një jetë më të sigurt për veten dhe fëmijët e saj.

Që nga momenti kur rasti u referua nga organizata “Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” nga Maqedonia e Veriut, RrGK mori përsipër përfaqësimin e saj ligjor, duke u angazhuar jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e saj, por edhe për të siguruar që zëri i saj të dëgjohej në çdo fazë të procesit.

Për shkak të kompleksitetit të tij, rasti kërkoi bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke e bërë procesin edhe më të ndjeshëm dhe sfidues, por jo të pamundur.

“Ky rast konfirmon edhe një herë se, kur institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe sistemi i drejtësisë punojnë së bashku, ndryshime reale dhe domethënëse në jetën e grave dhe fëmijëve që kanë mbijetuar dhunën janë të mundshme. Guximi i A.B. për të kërkuar mbrojtje dhe drejtësi, si dhe mbështetja profesionale dhe e përkushtuar e RrGK-së, tregojnë qartë sa e rëndësishme është që të mbijetuarat të mos lihen vetëm gjatë proceseve të gjata dhe shpesh rraskapitëse ligjore”, thuhet në deklaratën e drejtoreshës ekzekutive të Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Përtej përfaqësimit ligjor, RrGK monitoroi vazhdimisht seancat gjyqësore, duke siguruar që të gjitha procedurat zhvilloheshin në mënyrë të drejtë, transparente dhe me ndjeshmëri ndaj të mbijetuarës. Pas procedurave që zgjatën me vite, Gjykata nxori vendimin e saj, duke shpërbërë martesën në përputhje me kërkesat e padisë.

“Si Rrjet Kombëtar, mbetemi të përkushtuar fuqishëm për bashkëpunim rajonal dhe për të siguruar mbështetje në kohë, cilësore dhe të përqendruar tek të mbijetuarat për çdo grua që përballet me dhunë me bazë gjinore. Ky vendim nuk është vetëm një fitore ligjore, por një hap drejt një jete më të sigurt, më dinjitoze dhe më të lirë për të mbijetuarat dhe fëmijët e tyre”, shtoi drejtorja ekzekutive të Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Ky vendim shënon më shumë se një rezultat ligjor; ai përfaqëson një hap drejt një jete më të sigurt dhe më dinjitoze për A.B. dhe fëmijët e saj. Vendimi dëshmon gjithashtu qartë se mbështetja profesionale, këmbëngulja dhe përkushtimi mund të sjellin ndryshime të vërteta në jetën e të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore.

Që nga viti 2021, RrGK ka mbështetur 142 raste përmes këshillimit dhe përfaqësimit ligjor për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe ka monitoruar 386 procedura gjyqësore.

RrGK mbetet e përkushtuar të qëndrojë pranë çdo gruaje që ka nevojë për mbështetje, duke ofruar ndihmë juridike dhe këshillim falas në numrin: +383 48 105 800.

Kjo iniciativë mbështetet nga Partneriteti Ndërkombëtar Austriak.

A.B. janë iniciale të përdorura për të mbrojtur konfidencialitetin e rastit.