Me 9 shtator në Skenderaj, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), OJQ Drugëza organizoi tryezën përmbyllëse në kuadër të nismës “Avancimi i të drejtave të grave në pronë dhe fuqizimi ekonomik i tyre”.
Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve lokale nga Skenderaj dhe shoqëria civile, të cilët diskutuan rreth fuqizimit ekonomik të grave si dhe ndikimin e pandemisë COVID-19 në mirëqenien e tyre. Panelistë në këtë tryezë ishin: Hana Zabeli, Drejtore Ekzekutive, OJQ “Drugëza”, Arben Veliu, Koordinator i Qendrës Rinore, Hyka Ymeri, Zyrtare për Barazi Gjinore, Mirsad Gashi, Zyrtar për Integrime Europiane si dhe Xhevat Dërvishi, Zyrtar për Rini.
Zabeli shpalosi të arriturat e projektit si dhe statistikat e grave punëkërkuese të cilat janë lajmëruar në zyrën për punësim në kohën e pandemisë dhe u diskutuan lehtësimet që ofron Komuna e Skenderajt për gratë në hapjen e bizneseve dhe mundësitë për përfitim të granteve e subvencioneve.
Ajo njoftoi që në kuadër të projektit është mbajtur edhe fushata vetëdijësuese si dhe 4 ligjërata me nxënës të shkollave të mesme me qëllim të sensibilizimit të opinionit për të drejtën e grave në pronë si dhe përçimin e mesazhit te familjet e nxënësve për rëndësinë e respektimit të të drejtave të grave.
“Gjatë ligjëratave të mbajtura në Shkollën Profesionale, Skenderaj, pjesëmarrësit u njoftuan me kornizat ligjore mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë.” tha Zabeli, duke shtuar se “Nisma synon kryesisht të ngrisë vetëdijen e të rinjëve dhe të avokojë për t’i ndryshuar qëndrimet ndaj të drejtave të grave në aspektin e pronësisë, trashëgimisë dhe të drejtës së shfrytëzimit me qëllim të fuqizimit ekonomik.”
Ndërsa, Zyrtarja për Barazi Gjinore, Hyka Ymeri ndau pasqyrat e situatës për dhunën në familje gjatë kësaj kohe.
“Fatkeqësisht pandemia jo vetëm që ndikoi te gratë në aspekt ekonomik, mirëpo gjatë kësaj periudhe u shtua edhe numri i rasteve të dhunës në familje” , tha Ymeri.
Në këtë tryezë u nxorën rekomandimet si vijon, të cilat do të adresohen tek organet komunale:
- Komuna të hartojë një plan që i ndihmon gratë me trajnime për hartimin e një plan-biznesi;
- Të shqyrtohet mundësia për gjetjen e një mënyre për matjen e zbatimit të masës së dhënë nga qeveria për të parë sa po zbatohet masa për lejimin nga puna të njërit prind;
- Zyra për Barazi Gjinore të stimulojë dhe të përkrahë fuqizimin e organizatave që merren me të drejtat e grave.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), dhe financohet nga UN Women.
Përveç organizatës Drugëza, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.