DSK dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara diskutojnë kërkesat e tyre me përfaqësues të Komunës së Ferizajt

Më 2 shkurt, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Down Syndrome Kosova ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtorisë së Arsimit, Drejtorisë së Kulturës, Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Ferizajt, Organizatës Handikos si dhe Organizatës Pema. 

Në takim janë diskutuar çështjet si vijon: 

  • Rregullimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuar në institucione të ndryshme; 
  • Përditësimi i bazës së të dhënave për personat me aftësi të kufizuara në Komunën e Ferizajt; 
  • Monitorimi i zbatimit të planit individual; 
  • Trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit/et për qasjen e personave me aftësi të kufizuar; 
  • Akreditimi i programeve për ofruesit e shërbimeve; 
  • Fuqizimi i prindërve për kërkimin e të drejtave të fëmijëve; 
  • Exit strategji për klasa të bashkangjitura; 
  • Të gjitha sektorët duhet të ofrojnë punë praktike dhe pa pagesë; 
  • Krijimi i mundësisë për nënat që të mund të punojnë për shitjen e produkteve vendore; 
  • Programet trajnuese dhe grantet e sektorit të rinisë dhe të drejtorive të tjera që të kenë kuotën 5% për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.  

“Prezantimi i rekomandimeve specifike te drejtoritë është një takim shumë i rëndësishëm pasi ka shtyrë përfaqësuesit/et nga drejtoritë të reflektojnë mbi punën e tyre dhe çka janë duke punuar momentalisht për angazhimin e personave me aftësi të kufizuara në sferën politike, ekonomike, sociale dhe atë kulturore”, u shpreh Jetbardha Selmani- Koordinatore e Projektit. 

Down Syndrome Kosova, Handikos dhe Organizata Pema shprehën gatishmëri të ndihmojnë dhe të ofrojnë ekspertizën e duhur për institucionet për përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuara. 

Rekomandimet nga ky takim do të përfshihen në Planin Strategjik Komunal për Personat me aftësi të Kufizuara në Komunën e Ferizajt. 

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të nismës “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje politike, e cila mbështetet nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.