| Organizatë kontraktuese | Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim (EWMI), ewmi.org |
| Vendndodhja e caktimit | Kosova dhe distanca të gjata |
| Kohëzgjatja | Deri në 20 ditë pune |
| Periudha e pritur | 9 nëntor 2026 deri më 28 shkurt 2027 |
| Raportimi te | Drejtoresha e Programeve të Shoqërisë Civile të EWMI-së dhe Menaxherja e Projektit të DHBGJ-së të RRGK-së |
| Afati i fundit për dorëzimin e paketës së aplikimit | 29 tetor 2026, ora 12:00, Ora Lindore e SHBA-së |
Profesionistët e shërbimeve sociale në Kosovë trajtojnë raste të ndryshme që kërkojnë njohuri të specializuara, vendimmarrje profesionale dhe bashkëpunim ndërdiciplinor e ndërinstitucional. Krahas trajnimeve e ngritjeve profesionale , atyre u nevojitet mbështetje e vazhdueshme praktike për t’i zbatuar njohuritë në punën e përditshme. Kjo mbështetje është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh numrin dhe kompleksitetin e lartë të rasteve, si dhe gamën e gjerë të kategorive dhe nevojave që mbulohen nga këta profesionistë. Në këtë kontekst, mentorimi mund të ofrojë mbështetje shtesë profesionale dhe ekspertizë të specializuar për Profesionistët e shërbimeve sociale , duke i ndihmuar ata të adresojnë më efektivisht rastet komplekse, veçanërisht në një situatë ku burimet njerëzore të disponueshme nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate kërkesave në rritje për shërbime. Një program i strukturuar mentorimi mund të kontribuojë në zhvillimin dhe fuqizimin e tyre profesional dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale dhe familjare.
Korniza ligjore për për zhvillimin dhe zbatimin e Programit të Mentorimit Profesional për profesionistët e shërbimeve sociale përfshin Ligjin nr. 08/L-255 për Shërbime Sociale dhe Familjare, Ligjin nr. 08/L-185 për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Ligjin nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligji nr. 04/L-128 për Parandalimin dhe Luftimin e Trafikimit me Njerëz dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit. Këto ligje dhe aktet nënligjore të aprovuara për lehtësim të zbatimit të tyre, krijojnë bazën për zhvillimin e një programi të përgjithshëm mentorimi për profesionistët e shërbimeve sociale, i cili mund të përfshijë nënprograme të specializuara dhe të përshtatura për fusha të ndryshme të praktikës profesionale. Këto mund të përfshijnë, ndër të tjera, reagimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje; mentorim për masat e trajtimit, mbrojtjes dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje; si dhe kategori dhe fusha të tjera prioritare të përcaktuara në bazë të nevojave të Ministrisë dhe Qendrave për Punë Sociale (QPS). Programi do të mundësonte përshtatjen e mentorimit me specifikat e rasteve dhe nevojat profesionale të Profesionistëve të shërbimeve sociale duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve për identifikim, vlerësim, menaxhim, referim dhe përcjellje/mbikqyerje të rasteve.
Në këtë kuadër, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (“Ministria”), në bashkëpunim me EWMI, Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Terre des hommes Kosova, partnerët e tjerë dhe anëtarët e grupit punues, synon të zhvillojë një Program të përgjithshëm Mentorimi Profesional për profesionistët e shërbimeve sociale. Programi duhet të përcaktojë mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të mentorimit, kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen, angazhimin dhe kualifikimin e mentorëve, si dhe mjetet për monitorimin, vlerësimin dhe sigurimin e cilësisë së procesit të mentorimit. Kjo strukturë e përbashkët do të mundësojë zhvillimin e nënprogrameve të specializuara sipas kategorive të ndryshme të rasteve dhe fushave prioritare të praktikës së punës sociale.
Profesionistët e shërbimeve sociale u shërbejnë disa kategorive të ndryshme përfituesish që kërkojnë menaxhim rastesh të përshtatura sipas nevojave të tyre. Programi i Mentorimit parashikohet të përfshijë nënprograme që përfshijnë mentorim të përshtatur sipas këtyre nevojave. Fillimisht, do të zhvillohen dy nënprograme të tilla. Duke pasur parasysh natyrën e tyre delikate dhe përhapjen e rasteve të vështira që kërkojnë mentorim, dy fusha për zhvillimin e nënprogrameve janë reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, si dhe dhe mentorim për masat e trajtimit, mbrojtjes dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje. Nënprogrami për dhunën me bazë gjinore do të mbështetet në përvojën e krijuar nga projekti “Forcimi i Kapaciteteve dhe Mekanizmave për të Adresuar Dhunën me Bazë Gjinore në Kosovë” (“Projekti”), i zbatuar nga EWMI dhe partneri i saj, RrGK. Nënprogrami që lidhet me fëmijët do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me konsulentët dhe institucionet përgjegjëse për këtë fushë të angazhuar nga Terre des hommes Kosova, duke përdorur strukturën e përbashkët të mentorimit dhe duke marrë parasysh kërkesat e veçanta të mbrojtjes së fëmijës. Për nënprogramin për mentorimin për rastet e fëmijëve do të zhvillohen terma të referencës (ToR) të veçanta.
Deri tani, në kuadër të Projektit, RrGK ka mbështetur Mekanizmat Koordinues Komunalë për Dhunën në Familje në dhjetë komuna përmes vlerësimit të nevojave, hartimit të planeve të punës, ngritjes së kapaciteteve dhe mentorimit. RrGK gjithashtu ka zhvilluar një kurrikulë dhe ka ofruar trajnime për Profesionistët e shërbimeve sociale mbi trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës ndaj grave, në bashkëpunim me Ministrinë. Kjo përvojë ofron një bazë praktike për nënprogramin e mentorimit për dhunën me bazë gjinore dhe për hartimin e modelit të përgjithshëm të mentorimit. Në anën tjetër Terre des hommes Kosova në bashkëpunim me Këshillin Profesional për Shërbime Sociale dhe Familjare ka certifikuar trajnerë për – Parimet e mbikëqyrjes/Supervizimit dhe ka ngritur kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale mbi këtë fushë.
Bazuar në këto përvoja, Projekti do ta mbështesë Ministrinë në hartimin e një programi funksional dhe të qëndrueshëm për punonjësit socialë, i cili mund të pilotohet, të vlerësohet dhe në një fazë të mëvonshme të zgjerohet gradualisht në nivel kombëtar.
Kërkesat e aplikimit
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë: (i) CV-në që thekson përvojën përkatëse; (ii) një propozim të shkurtër teknik që përshkruan qasjen e propozuar dhe planin e punës për 20 ditë pune; (iii) një shembull të një pune të ngjashme, kur është e mundur; dhe (iv) një ofertë financiare që përcakton një tarifë profesionale ditore dhe çdo kosto të parashikuar të rimbursueshme veçmas.
Ju lutemi, dorëzoni dokumentet e listuara më sipër në info@EWMI.org më së voni deri më 29 tetor 2026.
