Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” ka vazhduar rrugëtimin e nisur vitin e kaluar.
Sot, qytetarët e Prishtinës patën rastin që nga afër të vizitojnë këtë ekspozitë, e cila para vizitorëve sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Ekspozita u hap nga Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore në RrGK, e cila përmendi se kjo ekspozitë simbolikisht përkon me 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Lexo edhe: 20 vite të Rezolutës 1325: Kosova duhet ta prioritizojë zbatimin e kësaj Rezolute
“Ekspozita ka vazhduar edhe këtë vit, duke ditur se fatkeqësisht rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje gjatë kohës së karantinës. Dhuna ndaj grave duhet të dënohet nga secili prej nesh, pa asnjë kompromis e arsyetim”, ka thënë Berisha.
“Muret mbajtëse” ishin pjesa e ekspozitës që ngjalli shumë interesim mes qytetarëve. Përmes mbishkrimeve në këto mure qytetarët u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e këtij lloji të dhunës dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato institucione për të realizuar të drejtat e tyre.
Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” vitin e kaluar ishte e hapur në Gjilan, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Prishtinë dhe Drenas.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).