7 shtator 2022
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, më 8 shtator nga ora 10:00-16:00 te Sheshi “Adem Jashari” në Skënderaj e hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila tash e disa vite hapet vazhdimisht në komuna të ndryshme të Kosovës me qëllim që të ngrisë vetëdijen kundër dhunës në familje.
Ekspozita gjithashtu ka për qëllim që qytetarët e Republikës së Kosovës t’i njoftojë për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.
Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.
RrGK hap ekspozitën në Skënderaj në bashkëpunim me organizatën e saj anëtare në këtë qytet, OJQ Drugëza.
Ftohen mediat ta përcjellin këtë ngjarje.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).