Rastet e dhunës me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave në Kosovë vazhdojnë të rriten, ndërsa kryesit e dhunës shpesh herë nuk marrin dënimin e merituar. Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur, ndërsa viktimat shpesh hezitojnë ta raportojnë dhunën në institucione.
Andaj Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar ngritjen e vetëdijesimit kundër dhunës duke hapur edhe këtë vit ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.
Kësaj here RrGK hapi ekspozitën në Komunën e Mitrovicës, në bashkëpunim me organizatën anëtare Qendra për Edukim dhe Zhvillim Komunitar – CECDS and Friends dhe në atë të Lipjanit me organizatën Lipjan Youth Center (LYC).
Ekspozita qendroi e hapur për një ditë në të dyja vendet. Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.
“Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” është tejet e rëndësishme që çdo vit të organizohet dhe të shfaqet në qytete të ndryshme, pasi që informon qytetarët e Republikës së Kosovës për të drejtat e tyre dhe për përgjegjësinë institucionale. Në mënyrë që të informohen më shumë gratë dhe vajzat në komuna të ndryshme, ne e shohim të nevojshme që të udhëtojmë me ekspozitë në mënyrë që qytetarët të informohen për të drejtat e tyre”, ka thënë Besarta Breznica, Zyrtare e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës.
RrGK do të vazhdojë ekspozitën edhe në qytete të tjera gjatë muajve në vazhdim si dhe gjatë këtij viti do të ketë fushata të ndryshme online për dhunën në baza gjinore në veçanti për dhunën familje.
Organizimi i ekspozitave është përkrahur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).