Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” vazhdon rrugëtimin në Fushë Kosovë

Me 24 qershor banorët e fshatit Bresje në Fushë Kosovë patën mundësi të vizitojnë ekspozitën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila për herë të parë u shfaq në Prishtinë në qershor të vitit 2019. Që nga ajo kohë ekspozita u shfaq në shumë komuna të tjera duke përfshirë këtu Pejën, Mitrovicën, Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Drenasin, Gjakovën e Malishevën.

“Muret mbajtëse” ishin pjesa e ekspozitës që sillnin disa prej rrëfimeve të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje. Stafi i RrGK-së i informoi qytetarët mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e këtij lloji të dhunës. Synimi i ekspozitës është t’i inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.

“Ekspozita Dhuna nuk fshehet mrena mureve është tejet e rëndësishme që çdo vit të organizohet dhe të shfaqet në qytete të ndryshme, pasi që informon qytetarët e Republikës së Kosovës për të drejtat e tyre dhe për përgjegjësinë institucionale. Meqë numrat e raportuar në Policinë e Kosovës rriten çdo vit e më shumë, ne e shohim të nevojshme që të udhëtojmë me ekspozitë në mënyrë që qytetarët të informohen për të drejtat e tyre”, ka thënë Besarta Breznica, Koordinatore e Projektit, RrGK.

Ekspozita ka qëndruar e hapur gjatë tërë ditës me ç’rast stafi i RrGK-së i ka informuar vizitorët se në cilat institucionet duhet të raportohen rastet e dhunës dhe mënyrat përmes së cilave  qytetarët mund t’iu drejtohen institucioneve për të realizuar të drejtat e tyre.

Kjo ekspozitë do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të Kosovës, përkatësisht në Viti dhe në Ferizaj.

Ekspozita u përkrah nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women #EVAW dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), kurse për realizimin e saj në Komunën e Fushë Kosovës RrGK bashkëpunoi me Infrakos.