13 burra dhe 11 gra të verbër dhe me të pamë të dobësuar ndjekën trajnimet për mësim bazik sipas alfabetit Brajell.
Shoqata e të Verbërve dhe me të Parë të Dobësuar (SHVPD) realizoi 20 trajnime në kuadër të nismës “Mbështetja e personave të verbër dhe personave me të parë të dobësuar për pavarësim në jetë” si përfituese nga roundi I 14-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me qëllim t ë zhdukjes së analfabetizmit dhe pavarësimit për jetë të personave të verbër dhe me të pamë të dobësuar.
ShVPD nga shkurti deri në shtator mbajti trajnime për anëtarët e shoqatës nga Rahoveci dhe fshatrat si Gexhe, Hoqa e Vogël, Bellacërkë dhe Zatriq. Gjithsej 24 përfitues të trajnimeve u çertifikuan për shkrim dhe lexim të alfabetit Brajell.
Udhëheqësja e tranimit, Xhylferije Bytyqi, e cila është mësimdhënëse e çertifikuar, foli për mungesën e mësimit bazik për këtë grup në shoqërinë tonë dhe theksoi rëndësinë e nismave të tilla.
“Duke u bazuar në atë që personat e verbër si grup i margjinalizuar në shoqëri janë të neglizhuar në çdo sferë të jetës, e në veçanti të asaj arsimore dhe duke i ditur vështirësitë e ekzistencës së personave të verbër dhe pozitës së tyre në shoqëri është parë më se e nevojshme një iniviativë e tillë” tha Bytyqi.
ShVPD gjithashtu ka mbajtur takime me Qendrën e Punësimit për të diskutuar rreth qasjes më të lehtë të personave të verbër dhe me të pamë të dobësuar në punësim, si dhe me Drejtorinë për Arsim të Komunës së Rahovecit rreth çështjes së paraleleve klasore për të nxënësit e verbër.
Ky takim dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.
Lexo më shumë lidhur me këtë nismë:
Trajnime për luftimin e analfatizmit të personave të verbër dhe me të parë të dobësuar
ShVPD rikthehet me trajnime të alfabetit Brajell