Feministet nga Kosova dhe Serbia bashkohen në Shkollën Pranverore të Artpolis-it

Foto: ARTPOLIS

Artpolis-Qendra për Art dhe Komunitet, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me Qendrën Alternative të Vajzave (ACD ), për katër ditë me radhë, 28 shtator-1 tetor 2020 kanë mbajtur pjesën e parë të Shkollës Pranverore të Feminizmit Kosovë-Serbi, 2020, të organizuar në Prishtinë.

Shkolla Pranverore Feministe ka ofruar një hapësirë ​​për gratë e reja që të bashkohen dhe të krijojnë një vizion të përbashkët për lëvizjen feministe në Kosovë dhe Serbi për të luftuar ndikimet negative si pasojë e sistemeve patriarkale, dhe të gjitha sistemet që promovojnë luftë, urrejtje, racizëm, e diskriminim.

E organizuar me një modalitet më ndryshe se vitet tjera, për shkak të pandemisë COVID-19 vajzat nga Serbia nuk kanë udhëtuar për në Prishtinë, mirëpo janë bashkuar nga distanca, përmes platformës digjitale Zoom me rreth 20 vajza pjesëmarrëse nga Kosova, përfshirë këtu Gresë Sermaxhaj nga RrGK.

Përgjatë këtyre ditëve u mbajtën aktivitete dhe ligjërata interaktive ku u diskutuan tema të rëndësishme për lëvizjen feministe si; Ballafaqimi me të kaluarën dhe Dhuna me Bazë Gjinore; Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, Drejtësia Tranzicionale, Feminizmi për 99 përqindëshin, Paqja dhe Aktivizimi si dhe Arti si mjet për ndryshim.

Ligjëruese në këtë shkollë ishin: Xhejrane Lokaj, aktiviste për të drejtat e grave, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), njëherit anëtare e Bordit në RrGK, Reyes Charle-Cuellar, Këshilltare Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, profesoresha  në Universitetin e Prishtinës, Vjollca Krasniqi, Deputetja Valdete Idrizi, Kaltrina Shala, Menaxhere e Projektit në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Tijana Simic, aktiviste për të drejtat e grave dhe Drejtore Ekzekutive e organizatës ‘Të drejtat e Grave”, Yllka Soba nga Fondacioni Kvinna till Kvinna si dhe Zana Hoxha, themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis.

Pjesa e dytë e Shkollës Pranverore Feministe do të mbahet në dhjetor, në Serbi. Kurse, KËTU mund të lexoni për shkollën pranverore feministe 2019.

Më shumë lidhur me aktivitetet e ARTPOLIS-it mund të gjeni KËTU.