Artpolis bashkon feministet e reja nga Kosova dhe Serbia

Nga data 29 nëntor deri me 2 dhjetor në Beograd të Serbisë u mbajt shkolla feministe e organizuar nga Qendra për Art dhe Kulturë Artpolis nga Kosova dhe Qendra Alternative për Vajzat (Alternativni Centar za Devojke) nga Serbia.

Në këtë takim katër ditor pjesmarrëse ishin 10 vajza nga Kosova, përfshirë Mirjeta Dibranin përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe 10 vajza nga Serbia. Temat e punëtorive që u trajtuan gjatë këtyre ditëve kanë qenë: besimi, e cila u mbajt nga Vesna Bujosevic; së bashku për solidaritetin të cilën e trajtoi njëra nga feministet më në zë në Serbi, Lepa Mladjenovic, e cila foli edhe për historikun e lëvizjes feministe në ish Jugosllavi dhe motërzimin ndërmjet aktivisteve nga Kosova dhe Serbia. Një tjetër temë që u trajtua ishte edhe drejtësia tranzicionale dhe mekanizmat e saj të cilën e udhëhoqi historiania Mariana Toma.

“Përderisa burrat e shteteve tona ndërtojnë sërish mure, ne gratë shkojmë tek njëra-tjetra, ndihmojmë njëra-tjetren si dhe shkëmbejmë përvoja në mes vete” u shpreh Sandra Farkas nga Qendra Alternative në hapje të këtij takimi.

Një tjetër folëse nga e cila feministet e reja dëgjuan për etikën feministe të mosbindjes ishte edhe Stasa Zajovic njëra nga themelueset e organizatës Gratë në të Zeza në Serbi. Ndër të tjera ajo përmendi edhe protestat e shumta që Gratë në të Zeza kanë organizuar kundër luftës, me ç’rast në fillim të viteve të ‘090-ta ato mblidheshin çdo të mërkurë për një orë në shesh në Serbi, duke mbajtur edhe postera ku shkruhej Shqiptaret janë motrat tona.

Pas katër ditësh, një aktiviste e re nga Kosova u shpreh se kishte kënaqësinë të ishte ishte pjesë e kësaj shkolle, sepse “Pavarësisht përkatësisë etnike, gratë kanë sfidat dhe dhimbjet e njejta”.