Gjilani bëhet qyteti i dytë që mirëpret ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”

Më 27 Qershor në sheshin “Agim Ramadani” të  Gjilanit, qytetarët patën mundësi që të vizitojnë ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, të realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

Më shumë se 100 vizitorë panë nga afër labirintin që shpaloste disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RrGK.

Adelina Berisha, Koordinatore për Hulumtim dhe Avokim mbi Dhunën me Baza Gjinore ka ndarë me publikun më shumë lidhur me këtë ekspozitë.

“Kjo ekspozitë bart në vete tregimet rrënqethëse të grave dhe burrave kosovarë që kanë përjetuar dhunë në familje. Pas Prishtinës, Gjilani bëhet qyteti i dytë që mirëpret ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, ndërsa në muajt në vazhdim do të vizitojmë edhe komunat e tjera. Duke lëvizur nga një vend të Kosovës në tjetrin, ekspozita synon që ta prek çdo qytetar, sepse vetëm së bashku mund të luftojmë dhunën në familje”, u shpreh Berisha.

Në mesin e të pranishmëve në hapje të ekspozitës ishin edhe përfaqësuese nga Strehimorja e Gjilanit, nga OJQ Gruaja Hyjnore, si dhe përfaqësues nga Inspektorati Policor.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës ishin “Muret mbajtëse” përmes së cilave qytetarët u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e këtij lloji të dhunës dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato për të realizuar të drejtat e tyre. Rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës në familje prekën ata që morën guximin të ecnin brenda labirintit.

“Domethënia shumë e mirë”, “Shumë e nevojshme dhe e mirë”, “Perfekt, shumë e mirë por shpresoj që do të ketë edhe ndikim”, ishin vetëm disa nga përshtypjet e marra prej atyre që vizituan ekspozitën.

Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” nga 14-16 qershor ishte e hapur në Prishtinë, kurse pas Gjilanit do të hapet edhe në Gjakovë, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë dhe Prizren.

Kjo ekspozitë u përkrah nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (#EVAW), dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).

LEXO EDHE: RrGK hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena  mureve”.

Për më shumë informata, KËTU gjeni broshurën e kësaj ekspozite.