Gratë e Krushës së Vogël diskutojnë për Kancerin e Qafës së Mitrës  

Më 1 shkurt Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” mbajti aktivitetin e radhës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, në kuadër të projektit “Mbështetja e Grave në Menopauzë”.  

Rreth 20 gra dhe vajza nga Krusha e Vogël diskutuan për kancerin e qafës së mitrësë bashku me ligjëruesen Hanife Hoxha, Doktoreshë dhe Koordinatore për Zhvillimin e Vazhdueshëm Profesional në QKMF Prizren.  

Hoxha bëri sqarim të detajuar të simptomave të këtij lloj kanceri, faktorëve që shtojnë rrezikun për prekje nga ky kancer si dhe përmendi rëndësinë që kanë kontrollet e rregullta mjekësore. 

“Simptomat nuk shfaqen në fazat e hershme të kancerit të qafës së mitrës, kurse me kalimin e kohës mund të vërehen shenja si; dhimbje pas marrëdhënieve seksuale, gjakderdhje pas klimaksit, humbje e shpejtë e peshës, si dhe përsëritje e ciklit vetëm pak kohë pasi ka përfunduar,” u shpreh Hoxha.  

Pap Testi është mënyra përmes së cilës mund të zbulohet ky kancer, andaj edhe doktoresha Hoxha ndau me të pranishmet këshilla për kryerjen e këtij testi. 

Tutje, Hoxha duke bërë thirrje për ngritje të vetëdijes rreth vizitave gjinekologjike, me ç’rast njoftoi edhe se gratë dhe vajzat e Prizrenit për një vit mund të bëjnë Pap Testin falas.  

Në fund të diskutimit, pjesëmarrëset vlerësuan lart përfitimet e marra nga kjo iniciativë, duke numëruar si më të rëndësishmen ngritjen e vetëdijes për rolin e shëndetit riprodhues në mirëqenien e përgjithshme. 

Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA)