Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës “Gruaja Fermere” përgjatë një periudhë pesëmujore ka realizuar nismën “Promovimi i kujdesit shëndetësor primar për gratë në vendet rurale”.
Nga ky projekt kanë përfituar 122 gra dhe vajza nga komuna e Rahovecit si dhe në fshatrat e komunës së Rahovecit në Apterushë, Zatriq dhe Krushë e Madhe, ndërsa përfitues indirekt janë rreth 200 familjarë dhe të afërm të tyre. Gjithashtu në këtë nismë janë përfshirë edhe zyrtarë komunalë të shëndetësisë, të cilët janë informuar rreth gjendjes akuale në komunën e Rahovecit.
Gruaja Fermere përgjatë kësaj nisme ka organizuar katër takime informuese me qëllim të ngritjes së vetëdijes rreth kujdesit shëndetësor cilësor të grave dhe vajzave; katër ligjërata me gratë dhe vajzat nga Rahoveci, fshati Apterushë, Krushë e Madhe dhe Zatriq dhe ka organizuar një takim avokues me zyrtarë institucionesh.
Sipas Gruas Fermere nga këto takime kanë rezultuar 82 gra më të vetëdijësuara rreth të drejtave të tyre për qasje në kujdes shëndetësor cilësor, si dhe më të informuara rreth mekanizmave të raportimit të shkeljeve të të drejtave të tyre. Më shumë gra të inkurajuara për të avokuar për të drejtat e tyre në kujdes shëndetësor dhe për të dokumentuar dhe raportuar shkeljet.
Gjithashtu mbi 40 gra janë më të informuara rreth sëmundjeve dhe parandalimit të sëmundjeve si: kanceri i gjirit, kanceri i qafës së mitrës, si dhe menaxhimi i sëmundjeve si diabeti. Po ashtu, përmes takimeve avokuese, Gruaja Fermere ka arrtiur që të ngrisë vetëdijen te disa zyrtarë komunalë dhe ofrues të shërbimeve për të përmirësuar qasjen në shërbimet e shëndetit riprodhues për gratë dhe vajzat.
Gruaja Fermere realizoi këtë nismë si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).