“Have Hope” mbledh grupin mbështetës të grave të prekura me kancer në gji

Ulur në një rreth, mbi 15 gra, të mbijetuara të kancerit, shkëmbejnë me njëra-tjetrën përvojat e tyre në betejën kundër kancerit të gjirit.

Falë nismës së organizatës anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Have Hope “Mbrojtja e shëndetit të grave dhe vajzave – rritja e vetëdijësimit në lidhje me kancerin e gjirit tek gratë” këto gra dhe vajza mblidhen çdo të enjte për të ndarë udhëtimet e tyre në betejën e përbashkët kundër kancerit.

Arnisa Osmani, drejtore e Have Hope thekson rëndësinë e këtyre takimeve, pasi sipas saj këto gra të guximshme jo vetëm që shkëmbejnë përvojat e tyre, por gjithashtu mbledhin njohuri të vlefshme që do t’iu ndihmojnë atyre gjatë trajtimeve mjekësore. Ajo vë në pah  rëndësinë e thellë të ngritjes së moralit të njëra-tjetrës, një lidhje që këto gra kanë zbuluar brenda këtij grupi mbështetës.

“Në takime të tilla ne marrim mbështetje prej njëra tjetrës, qoftë morale, qoftë në marrje të informatave për të cilat nuk jemi të njoftuara nga mjekët. Përjetimet e njëra tjetrës, eksperiencat e tyre na bëjnë që të ndihemi më lehtë në përballjen e njëjtë”, tha ajo.

Elhame Krasniqi e prekur me kancer në gji, tha se e ka shumë të rëndësishëm takimin me gra dhe ndarjen e eksperiencës për shkak se jo gjithçka  kuptojnë gjatë tajtimit në spital. Sipas saj fluksi i madh i pacientëve e pamundëson shpjegimin e hollësishëm nga ana e mjekëve, andaj ndihen të anashkaluara.

“Takimet janë të rëndësishme dhe të domosdoshme. Në spital gjatë trajtimit është shumë i nevojshëm psikologu, por mungon një shërbim i tillë. Thuhet se është i punësuar një psikolog, por neve, pra gjithë grupit që jemi këtu nuk na ka ardhur shansa që ta takojmë dhe të marrim këshilla, pasi janë të domosdoshme për të ecur tutje. Thjesht në këtë organizatë po e gjej veten”, tha Krasniqi.

Ndërkohe edhe Lindita Cimili e cila qe katër vjet është diagnostikuar me kancer të gjirit, tha se ndihet shumë mirë kur ka organizime të tilla dhe bashkohet me vullnet, për shkak se ndarja e eksperiencës për sëmundjen i shtyen që të ecin para.

“Morali dhe forca duke i dhënë njëra tjetrës na bën që të shpresojmë shumë dhe ta tejkalojmë sa më lehtë sëmundjen e njëjtë prej të cilës vuajmë”.

Have Hope e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).