Katër organizata anëtare të RrGK-së me aktivitete shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

3 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.  

Ashtu si në vitet e kaluara, këtë datë të rëndësishme për të drejtat e njeriut, e shënuan katër organizata anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). 

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) për 3 dhjetor në Prizren mblodhi përfaqësues nga institucionet, gra politikane, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të cilët punojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. 

Gatë këtij aktiviteti simbolik të OPDMK-së disa gra dhe vajza me aftësi të kufizuara u certifikuan për biznese me bizhuteri. RrGK dhe OPDMK tashmë janë në përfundim të vitit të tretë të bashkëpunimit për përmirësimin e pjesëmarrjes së grave me aftësi të kufizuara në politikë dhe procese vendimmarrëse, përmes nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”. 

Edhe organizata tjetër anëtare e RrGK-së, “Art Without Limit” më 3 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Prishtinës ka mbajtur ceremoninë përmbyllëse të Festivalit të Filmit “Art Without Limit”, përgjatë së cilit u shfaqën 50 filma nga e gjithë bota. Shihni KËTU listën e plotë të fituesve. 

RrGK vazhdimisht ka përkrahur organizatën “Art Without Limit” në përpjekjen e tyre për barazi, kurse së fundi kjo organizatë është përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës me nismën “Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara përmes artit”. 

Kurse, organizata tjetër anëtare e RrGK-së, “You Can Do”, kishte përzgjedhur që 3 Dhjetorin ta shënojë me organizimin e një “Darke të Errët”, e cila kishte për qëllim t’i bënte pjesëmarrësit të bashkëndjenin me komunitetin e personave të verbër, duke vënë theksin në sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë. 

Të pranishëm ishin ministra, zëvendës ministra, deputetë, profesorë e personalitete të tjera, të cilat vlerësuan se duhet bërë më shumë punë në mënyrë që ky komunitet, por në përgjithësi komuniteti i personave me aftësi të kufizuara, të mund të integrohen plotësisht në shoqëri.  

Artikullin e plotë e gjeni KËTU

Sfidat e komunitetit të të verbërve në Kosovë u trajtuan edhe nga organizata tjetër anetare e RrGK-së, “Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës (IPVK)”. Ata 3 Dhjetorin e shënuan së bashku me Institucionin e Avokatit të Popullit, ku ishin të ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve, dhe ndërkombëtarë.  

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, potencoi se është shumë e rëndësishme që edhe ky komunitet të ketë të drejtat dhe jetën që kanë të gjithë në Kosovë. Kurse, Halil Kurmehaj, Drejtor Ekzekutiv në IPVK, tha se personat e këtij komuniteti e kanë shumë të rëndësishme pavarësinë ekonomike dhe mbështetjen nga institucionet. 

Mbrëmja vazhdoi me biseda me personat e verbër duke dëgjuar problemet e tyre me të cilat ata përballen çdo ditë.

 

RrGK përmes organizatave anëtare në tërë Kosovën, në vazhdimësi ka përkrahur nisma të cilat përmirësojnë pjesëmarrjen shoqërore, ekonomike, e politike të këtij komuniteti.  

Megjithëkëtë, sipas Analizës Gjinore të RrGK-së, personat me aftësi të kufizuara të çdo moshe përballen me sfida të ndryshme. Fëmijët, veçanërisht vajzat, kanë probleme me qasjen në shkollim. Çekuilibri gjinor vërehet edhe në tregun e punës, ku kryesisht gratë e kanë të vështirë të punësohen. Për më tepër, Ligji për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara që parasheh punësimin e një personi me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punonjës, ende nuk po zbatohet mjaftueshëm.  

Për më shumë të dhëna rreth pabarazive gjinore në sektorë të ndryshëm në Kosovë, lexoni Analizën Gjinore të RrGK-së, e cila gjendet në faqen tonë në gjuhën shqipe, angleze dhe atë serbe.