“You Can Do” organizon “Darkë të Errët”, simbolikë e rutinës së personave të verbër

Darka ishte shtruar dhe pjesëmarrësit hynë në sallë. Por, në momentin kur ata u akomoduan, u ndalën dritat. 

Kjo ishte mënyra të cilën organizata “You Can Do”, anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), kishte përzgjedhur për ta shënuar 3 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Ky organizim i quajtur “Darka e Errët” kishte për qëllim që t’i bënte pjesëmarrësit të bashkëndjejnë me komunitetin e personave të verbër.  

Betim Bregovina, pjesë e këtij komuniteti, u shpreh se ky organizim është vetëm improvizim i vështirësive me të cilat ata përballen çdo ditë. 

“Darka e errët është një improvizim, për arsye të mungesës së akomodimit tonë si staf, që jemi kryesisht persona të verbër të kësaj organizate. Organizimi cilësor i kësaj do të ishte nëse personat e verbër vetë përgatisin, servojnë, dhe shoqërojnë. Në vendet tjera nëpër botë, personat e verbër i kanë restorantet e veta ku akomodohen”, tha ai. 

E pranishme në këtë ngjarje ishte Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar për parimin e gjithëpërfshirjes. 

“Mbi këtë parim ne veçse kemi shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara. E di që ju keni shumë sfida e ka shumë punë për t’u bërë, por me ju që i dini më së miri nevojat dhe kërkesat, në duam të kemi një evidencë të plotë në llogaridhënie dhe politikat që do t’i draftojmë. Sa i përket ligjit për punësimin e një personi me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë, ai duhet të zbatohet e rishikohet me propozimet tuaja”, tha ministrja. 

Profesori Universitar, Fadil Maloku, u shpreh se duhet bërë më shumë për integrimin e personave të verbër në shoqëri. 

“Më vjen mirë që keni marrë këtë iniciativë të cilën Qeveria dhe OJQ-të jashtë dhe brenda Kosovës duhet ta shfrytëzojë që t’i largojmë paragjykimet e stereotipat potencialë. Ky komunitet ka çka të japë me përgatitjen e tyre profesionale. Vërtetë, mund të jenë të privuar nga një aftësi, por s’ka dyshim që e kanë një dhunti tjetër”, tha ai. 

Në diskutimin pasues, personat e këtij komuniteti kërkuan aktivitete konkrete të integrimit të tyre në shoqëri, dhe më shumë përkrahje shtetërore që ta kenë mundësinë për të jetuar të pavarur. 

You Can Do ka për mision krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta në të cilën personat me nevoja të veçanta realizojnë dinjitetshëm potencialin e tyre të plotë. Kjo organizatë është anëtarësuar së fundi në RrGK, duke u bashkuar kështu me 182 organizata të tjera të cilat së bashku, me përkrahjen e RrGK-së, punojnë për një shoqëri më të mirë në të gjitha fushat.