Më 7 nëntor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi mbledhjen e tretë të Koalicionit për Barazi “Qeveria Feministe e Kosovës. Kur?”, ku morën pjesë gratë në politikë, organizatat e udhëhequra nga gratë dhe gratë aktiviste.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, në fjalën e saj hyrëse tregoi se duke parë që dukshëm po shfaqej ideja që gratë nga të gjitha sferat të bashkoheshin, dhe duke parë që gratë mbeten të nënpërfaqësuara në politikë në nivel komunal dhe qendror në Kosovë, dhe për ta adresuar këtë çështje lindi edhe Koalicioni për Barazi. Ajo theksoi se “Mesazhi i këtij bashkimi është solidariteti mes grave”.
Përkrahjen e saj për Koalicionin e ritheksoi edhe Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës (2011-2016) duke thënë se “Duhet të eliminojmë ndarjen tradicionale të roleve gjinore që vazhdon të ketë ndikim se si në mendojmë si shoqëri”. Ndërkaq, Mexhide Mjaku Topalli, deputete dhe Kryetare e Grupit të Grave Deputete, tha se “Barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë njerëzore por një domosdoshmëri për zhvillimin e shoqërisë tonë.
Clare Hutchinson, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, foli për zbatimin e Rezolutës së KSKB 1325 në NATO dhe për rëndësinë e avancimit të agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. “Pas 20 vitesh pas miratimit të Rezolutës, ne akoma nuk jemi aty ku do të duhej të ishim”, shtoi ajo.
Se si duket një qeveri feministe, foli zonja Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Ambasadës së Suedisë në Kosovë, duke diskuruar politikënt qeveritare feministe dhe rëndësinë e saj. “Barazia gjinore nuk është kremi mbi tortë, është vet torta”, tha Ambasadorja Hernmarc. Ajo vazhdoi duke cituar Ministen e Jashtme suedeze se “Asnjë gruaje nuk është nevoja t’i ipet zë. Gjithkush ka një zë. Kemi nevojë për veshë”.
Pas fjalimeve, të pranishmet diskutuan për rëndësinë, sfidat dhe solidaritetin që duhet të i prijë punës dhe angazhimit për të arritur qëllimin e të pasurit një qeveri feministe në Kosovë.
Kjo mbledhje është mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
Koalicioni për Barazi është themeluar me 22 qershor 2018 gjatë nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë dhe Vendimmarrje në Kosovë”. Koalicioni për Barazi është një grup i përbërë nga gratë në politikë nga niveli qendror dhe lokal, nga organizatat joqeveritare të udhëhequra nga gratë dhe gratë aktiviste të cilat përkrahin dhe fuqizojnë njëra tjetrën në përmirësimin e pozitës së gruas në politikë, vendimmarrje dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë. Koalicioni është i përkushtuar të punojë drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të përbashkët për fuqizimin dhe përmirësimin e pozitës së grave në politikë dhe vendimmarrje dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë përmes mentorimit, avokimit, solidaritetit dhe përkrahjes së njëra tjetrës.