Nga 19-23 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ iu bashkuan në një udhëtim avokues në Berlin, Gjermani, koalicionit rajonal të organizatave të shoqërisë civile për të drejtat e grave (OShCG), të udhëhequr nga Fondacioni Kvinna till Kvinna.
Gjatë një takimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK, Nicole Farnsworth falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj për liberalizimin e vizave dhe angazhimin në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për Kosovën.
Ajo kërkoi që qeveria gjermane, të dërguarit e posaçëm dhe ambasadori gjerman të konsultohen rregullisht me OShCG-të në përputhje me politikën e jashtme feministe të qeverisë gjermane dhe Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të garantuar perspektiva gjinore të përfshihet në propozimet e paqes dhe dialogët politikë.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e konsultimit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për Dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, me grupet për të drejtat e grave, pasi gratë janë lënë vazhdimisht jashtë negociatave dhe proceseve të dialogut, në kundërshtim me kërkesat e rezolutës 1325 të OKB-së.
Në emër të RrGK, duke përfshirë QKSGJ-në, Farnsworth gjithashtu theksoi rëndësinë që qeveria gjermane të financojë dhe monitorojë riatdhesimin e grave dhe burrave nga Gjermania në Kosovë, veçanërisht të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, pasi sipas saj programet e riintegrimit jo gjithmonë kanë marrë parasysh nevojat e ndryshme të grave, burrave, vajzave dhe djemve të riatdhesuar.
Vëmendja e pamjaftueshme gjinore gjatë këtij procesi mund të përkeqësojë pozitën e ndjeshme ekzistuese, ndërsa mungesa e një programi të kujdesshëm dhe të mirë-financuar mund të kontribuojë në abuzimin e të drejtave të njeriut dhe diskriminim.
Maja Raicevic nga Qendra për të Drejtat e Grave në Mal të Zi foli për faktin se gratë dhe veçanërisht OShCG-të janë lënë kryesisht jashtë procesit të Berlinit dhe se konkluzionet e përgatitura për barazinë gjinore janë zbehur ose hequr.
Ajo kërkoi që qeveria gjermane të përfshijë OShCG-të dhe të mbështesë rekomandimet e tyre përmes këtij dialogu politik, duke përfshirë vëmendjen ndaj barazisë gjinore në tri temat e agjendës që do të diskutohen këtë vjeshtë: energjia, agjenda e gjelbër dhe ekonomia.
Koalicioni u takua gjithashtu me Ministrinë e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik, e cila po zhvillon një politikë të re feministe për bashkëpunimin zhvillimor në përputhje me politikën e jashtme feministe të Gjermanisë.
Farnsworth ndau gjetjet dhe rekomandimet kryesore nga studimi rajonal Ku janë paratë për të drejtat e grave?, bazuar në një anketim të 241 OShCG të ndryshme dhe 71 financuesve në të gjithë Ballkanin Perëndimor mbi tendencat e financimit nga 2014 në 2019.
Bazuar në këtë studim dhe në në emër të koalicionit të OShCG-së, ajo rekomandoi që:
1) qeveria gjermane dhe BE-ja të caktojnë objektiva të qarta financimi për të përmbushur angazhimet e tyre për barazinë gjinore në Planin e Veprimit Gjinor të BE-së III dhe Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë;
2) rishikimi i modaliteteve kontraktuese të Gjermanisë dhe veçanërisht të GIZ-it për të lehtësuar kontraktimin afatgjatë të OShCG-sw si partnerë në ndryshim; dhe
3) të sigurojë angazhimin e OShCG-ve në planifikimin dhe zbatimin e programit, duke kompensuar OShCG-të për ekspertizën e tyre.
Ajo ndau gjithashtu rekomandimet nga një përmbledhje e politikave të një koalicioni prej 145 OShCG-ve mbi Burimin e Lëvizjeve Feministe me rastin e Forumit të Barazisë së Gjeneratave.
Delegacioni u takua gjithashtu me Fondin e Shoqërisë së Hapur (OSF) me ç’rast diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mundshëm në fushat e reja strategjike të OSF-së për integrimin në BE, bashkëpunimin ekonomik rajonal në BB, transformimin digjital, dhe tranzicionin e energjisë dhe klimën.
Aktivistët kërkuan që OSF të sigurojë që vëmendja për avancimin e barazisë gjinore të jetë e integruar në punën e saj dhe vunë re se grupet e të drejtave të grave janë ekspertë dhe aleatë për këtë.
Lidhur me mbështetjen e OSF-së për Iniciativën për Ballkanin e Hapur, aktivistët vunë re se nuk ekziston një analizë e njohur gjinore për këtë iniciativë ekonomike për shkëmbimin e mallrave përtej kufijve dhe se si mund të ndikojë ndryshe tek gratë dhe burrat.
Duke pasur parasysh se disa vende si Kosova janë të vogla, kjo mund të ketë efekte të dëmshme, veçanërisht te ata më të margjinalizuarit, dhe këto efekte duhet të vlerësohen përpara se të shtyhet më tej nisma.
Nisma gjithashtu kërkon transparencë më të madhe në media për të shmangur lajmet e rreme dhe për të informuar më mirë njerëzit për iniciativën, thanë aktivistët.
Koalicioni u takua gjithashtu me anëtarë të Komisionit të Parlamentit Gjerman për Bashkimin Evropian, përfaqësues të Ambasadës Suedeze në Gjermani dhe Heinrich Boll Stiftung.
Gjatë këtyre takimeve, aktivistë të tjerë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ndanë informacione mbi situatën në vendet e tyre dhe në rajon.
Ndër të tjera ata përfshinë shqetësimet mbi zvogëlimin e hapësirës për OShCG-të, sulmet ndaj grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe nevojat për integrim më të mirë të perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE.