Komuna e Klinës në bashkëpunim me RrGK hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet brenda mureve”

Duke parë rastet në rritje të dhunës me bazë gjinore ndaj vajzave dhe grave në Kosovë, dhe pas rasteve të fundit të dhunës seksuale, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka hapur sërish ekspozitën “Dhuna nuk fshehet brenda mureve”, kësaj radhe në tri komuna të ndryshme të Kosovës.

E veçanta kësaj here është iniciativa e Komunës së Klinës që në bashkëpunim me RrGK ta hapë për katër ditë me radhe ekspozitën në këtë qytet.

Nënkryetarja e Klinës Marqe Tanushi Selmanaj ka thënë se ekspozita ka për qëllim që të ngrisë vetëdijen kundër dhunës me bazë gjinore, sidomos pas ngjarjeve të fundit, ku viktima janë kryesisht vajzat dhe gratë.

“Ekspozita ka ardhur si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit. Kemi menduar ta kemi edhe një instalacion të tillë në komunën tonë, por kjo jo në aspektin e OJQ-ve, por në aspektin komunal ku edhe ne si institucion të mundohemi t’i luftojmë këto dukuri negative,” tha Tanushi Selmani.

Ekspozita në Klinë qëndroi e hapur nga 6 deri më do 9 shtator, në objektin Jehona e Dukagjinit në qytetin e Klinës.

Besarta Breznica, koordinatore e Projektit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore,  RrGK, tha se këtë vit kanë hapur ekspozita në disa qytete ndërsa, Vitia ishte destinacioni i tyre i radhës.

“Në këtë vit ekspozita ka shëtitë në Malishevë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Klinë dhe Viti andaj interesimi i qytetarëve ka qenë tejet i madh për të kaluar brenda mureve dhe për tu njoftuar me ekspozitën por edhe për të biseduar më detajisht për dhunën në familje dhe rastet e fundit”, tha ajo.

RrGK do të vazhdojë ekspozitën në qytete të tjera si dhe gjatë këtij viti do të ketë fushata të ndryshme online për dhunën në baza gjinore në veçanti për dhunën familje.

Organizimi i ekspozitave është përkrahur nga Bashkimi Evropian përmes UN Women dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).