Kosova bëhet nikoqirja e 48-të e vrapimit në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale

Claire McFarlane nga Australia më 8 qershor vrapoi 16 kilometra në Prizren. Vrapim ky që barti në vete fuqinë e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale dhe mesazhin e fuqishëm për solidaritet me të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale anë e mbanë botës.

McFarlane është themeluese e një lëvizjeje të quajtur Movement to Inspire: Lëvizje botërore sportive që bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave. Nisma kryesore e kësaj lëvizjeje quhet Footsteps to Inspire (shqip: Gjurmë frymëzuese).

Kosova në hartën e McFarlane ishte vendi i 48-të në të cilin ajo vrapoi me qëllim diskutimin gjithë botëror të dhunës seksuale.

“Të flasësh për dhunën seksuale dhe përdhunimin është shumë e vështirë dhe e rëndë për njerëzit, duke vrapuar është një mënyrë paqësore për të biseduar lidhur me këtë çështje në një vend të sigurt, por nuk është se kemi nevojë të flasim shumë, thjesht të jemi bashkë në shenjë solidariteti”, u shpreh ajo para se të fillonte vrapimin.

Ky aktivitet u përkrah nga organizatat lokale: Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), FemAktiv si dhe Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve.

Resmije Rrahmani nga OPDMK ka treguar pse kanë vendosur që t’i bashkohen vrapimit të McFarlane.

“Mbështesim këtë iniciativë që ka ardhur prej Australisë, jemi mbështetëse prej Prizrenit edhe prej Prishtinës, ne jemi përkrahje e madhe për çdo nismë të shoqërisë civile. Shumë është shqetësuese [dhuna seksuale], edhe pse nuk përhapet  se kemi mentalitet të ulët. Besoj edhe për gra me aftësi të kufizuara dhuna është shumë e madhe edhe pse nuk flitet për këtë”, ka thënë ajo.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përkrahur realizimin e këtij aktiviteti në Prizren, duke përsëritur kërkesën për trajtim të dinjitetshëm të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe luftim të paragjykimeve ndaj tyre.

Këtu mund të ndiqni rrëfimin e McFarlane në TEDx: (Vetëm në gjuhën angleze).

https://www.youtube.com/watch?v=lNpSg8XSVf8&feature=youtu.be