Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shënoi një moment historik me lansimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS). Ne, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përgëzojmë Presidenten dhe Kabinetin e saj për këtë Qendër të rëndësishme, e cila është rezultat i përpjekjeve globale për të mbrojtur dhe fuqizuar gratë në zonat e konfliktit.
Qendra u themelua në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, e cila vazhdon të japë kontribut dhe po ashtu, dje vlerësoi lartë Presidenten e Kosovës për marrëdhëniet e mira me organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave.
RrGK dhe anëtaret e saja mirëpresin dhe do të vazhdojnë të mbështesin në çdo aspekt këtë qendër, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm për të çuar përpara të drejtat e grave, paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe përtej. Nëpërmjet mbështetjes së vazhdueshme, Rrjeti do të punojë që gratë e Kosovës të jenë pjesë integrale e zgjidhjeve për paqen dhe sigurinë, duke dëshmuar se Kosova, si një komb me përvojë në këto çështje, është kontribuuese në përpjekjet globale për një botë më të drejtë dhe të sigurt.
Kjo qendër përfaqëson një angazhim të fuqishëm për të avancuar Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe përtej kufijve të saj, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në një kohë kur gratë dhe vajzat në zonat e konfliktit dhe luftës përballen me sfida të rënda, kjo iniciativë nga Presidenca e Kosovës, ka për qëllim të ofrojë një zë të fortë për to, duke theksuar rolin e tyre jetik në procese të tilla.
Qendra që u hap në Kosovë më 17 shtator, është një nga tri të tilla – një në Indonezi dhe një në Kolumbi, ku secila përfaqëson një hap konkret në drejtimin e një bote ku gratë janë të njohura jo vetëm si viktima të konflikteve, por si aktore të rëndësishme në ndërtimin e paqes!
Ne në RrGK, vlerësojmë se kjo iniciativë është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, si një vend me një histori të paharruar të luftës, dhe një përvojë të pasur në ndërtimin e paqes! Gratë kosovare kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm duke qenë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave dhe ndërtimit të shoqërisë pas konfliktit.
Aktivistet e Kosovës për të drejtat e grave kanë më shumë se 23 vjet përvojë në avokimin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të cilën ne mund ta ndajmë me botën për të mbështetur aktiviste të tjera. Më tej, institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile kanë bashkëpunuar për të krijuar mënyra inovative për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale duke përdorur një qasje të përqendruar te viktimat, që siguron mirëqenien e tyre nga e cila e gjithë bota mund të mësojë.