Edhe pse 14 shkurti në të gjithë botën festohet si dita e të dashuruarve, aktivistet për të drejtat e grave dhe vajzave, ka disa vite që këtë datë po e manifestojnë ndryshe. Kjo falë fushatës globale “Një Miliard në Këmbë” (“One Billion Rising”), nismë e cila ka filluar që nga shkurti i vitit 2012. E tëra ka filluar si thirrje për veprim e bazuar në statistikat shqetësuese të cilat tregojnë se 1 në 3 gra në botë sulmohen fizikisht apo përdhunohen gjatë jetës së tyre. Me një popullsi botërore që arrin në 7 miliardë, kjo i bie më shumë se 1 miliard gra dhe vajza përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.
Që nga fushata e parë në nivel botëror, edhe Kosova është bërë pjesë e kësaj nisme duke e organizuar çdo vit ngjarjen “Një Miliard në Këmbë”. Në këtë ditë, në Kosovë aktvistët feministë, aktivistët për të drejtat e grave dhe vajzave, individë dhe organizata, janë bashkuar për të kënduar e vallëzuar duke u bërë kështu pjesë e organizimeve që ndodhin në të gjithë botën.
Edhe sivjet Kosova me moton “ÇOHU! REZISTO! BASHKOHU!” u bë pjesë e “Një Miliard në Këmbë” duke bërë thirrje që përmes vallëzimit dhe solidaritetit të shprehim zemërimin kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.
Në Prishtinë u organizua performanca dhe vallëzimi tashmë tradicional, nën tingujt e “Break the Chain” që është edhe himni i fushatës Një Miliard në Këmbë. Organizimi i Një Miliard në Këmbë në Kosovë u bë nga Qendra për Art dhe Komunitet ARTPOLIS e përkrahur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Programi për Studime Gjinore, Këshilli Rinor Kosovar, Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Peer Educators Network, ECMI Kosova dhe ORCA.