Foto: Ministria e Drejtësisë, Facebook
Punësimi i viktimave të dhunës në familje si dhe i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, nga tani e tutje do të jetë më i lehtë.
Një gjë e tillë u mundësua falë memorandumit të bashkëpunimit i cili u nënshkrua më 8 korrik ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë (MD), Rrjetit të Shitjes me Pakicë dhe Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), me nismë të UN Women.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, u zotua se do t’i mbështesë këto kategori.
“Në raste të rralla bëhen bashkë institucionet, qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat, për ta nënshkruar një vullnet të mirë, me anë të së cilit shprehim gatishmërinë tonë që të jemi pranë grave të cilat janë viktima të dhunës”, ka thënë ai.
Kurse, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova u shpreh se pavarësia ekonomike e kësaj kategorie është çelës për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
“Jam jashtëzakonisht e emocionuar sepse më në fund po kuptohet që trekëndëshi duhet të funksionojë në mënyrë që tu ndihmohet qytetarëve të Kosovës. Ky trekëndësh është Qeveria, Shoqëria Civile dhe ndërkombëtarët.”, ka thënë ajo.
Gjithashtu, Yllka Metaj, Nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë, këtë nismë e ka konsideruar si shumë frytdhënëse për të ardhmen.