Një nga organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) që promovon politikat që ofrojnë vende miqësore pune për familjen është Lipjan Youth Center (LYC). Përmes nismës nëntëmujore, LYC ka arritur të informojë përfaqësuesit e bizneseve, punëtorët, zyrtarët komunalë e pjesëtarët e shoqërisë civile me Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë e cila ofron lehtësi për punëtorët përmes lejes prindërore, të atësisë, të kujdestarëve e orar fleksibël të punës.
Më shumë se 50 gra nga fusha e biznesit, Kuvendi Komunal e shoqëria civile kanë përfituar nga aktivitete e organizuara nga LYC, ndërsa më shumë se 500 qytetarë kanë marrë njohuri në lidhje me politikat që ofrojnë vende miqësore pune.
Organizata ka mbajtur takime me 20 përfaqësues të kuvendit komunal e 10 përfaqësues të bizneseve, ndërsa ka shpërndarë 40 posterë mbi direktivën e BE-së te bizneset lokale.
Gjithashtu, LYC ka ka bërë një analizë të shkurtër të politikave lokale, kryesisht nga perspektiva e buxhetit komunal dhe buxhetimit gjinor, për të avokuar dhe nxitur përkrahjen e grave në biznes dhe punësimin e grave në përgjithësi.
Kësisoj, përmes një propozimi është kërkuar nga komunat që në kuadër të ndarjes buxhetore për zhvillim ekonomik fokusi të jetë të subvencionet që ndërlidhen me fuqizimin e grave në biznes dhe promovimin e politikave miqësore për familjen përmes rregullores për subvencione.
Dokumenti që përmban tetë propozime për për të ndryshuar/plotësuar rregulloren sipas konceptit të politikës miqësore në vendet e punës për familjen është dorëzuar tek autoritetet gjegjëse komunale për të vazhduar me veprimet tjera procedurale deri tek shqyrtimi dhe miratimi nga Kuvendi Komunal.
Valmira Marevci, koordinatore e LYC, thotë se direktiva e BE-së për balancin punë-jetë mundëson qasje më të mirë për nxitjen e punësimit të grave dhe fuqizimin e tyre dhe për ta arritur këtë me shpejtë, nevojitet një përkrahje më e gjerë institucionale, që kjo politikë të zë vend në legjislacionin e Kosovës.
LYC ka realizuar edhe një Video informuese, e cila përmban mesazhet e grave punëtore dhe punëkërkuese, për nevojën e inkorporimit të “politikave miqësore për familjen sipas konceptit të balancit punë – jetë” edhe në Kosovë.
Nisma e LYC “Promovimi i politikave dhe vendeve të punës miqësore për familjen në nivel lokal” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.