Marsi, muaji i protestës, rezistencës, fuqizimit dhe i solidaritetit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) si cdo mars, edhe këtë vit u bashkua në përkrahje të aktiviteteve të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, në marshin tradicional në Prishtinë “Marshojmë S’festojmë”, protestës në Tiranë “Nata Eshte e Jona”, festivalit në Tiranë “Femfest 2024”, etj.

“Trupat tanë, të drejtat tona! Për njana-tjetrën!” ishte slogani i cili bashkoi dhjetëra aktivistë e aktiviste këtë vit në Marshojmë S’festojmë në Prishtinë. Së bashku aktivist e qytetar kërkuan autonomi mbi trupat dhe të drejtat e vajzave dhe grave, duke hedhur poshtë çdo sistem që përpiqet t’i kontrollojë ato. “Pavarësisht se po përballemi me shtypjen e qeverisë, ne mbetemi të vendosur, të bashkuar dhe të organizuar, duke mbrojtur të drejtën tonë themelore për të protestuar”, u shprehën kolektivi Marshojmë S’festojmë në Prishtinë, këtë 8 mars, 2024. Në Tiranë, aktivistët u mblodhën nën banderolën “Nata është e Jona”, duke trajtuar çështje thelbësore të sigurisë fizike dhe dixhitale, në shtëpi, në punë dhe në hapësira publike. Me femicidin që ka marrë shumë jetë.

Gjithashtu, sipas “Kolektivit Feminist”, 41% e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar një nga format e dhunës, përmes teknologjisë

U theksua nevoja e menjëhershme e dënimeve maksimale të krimeve ndaj grave në hapësirën kibernetike, parashikimin e shantazhit seksual dhe përndjekjen në hapësirën on-line si vepër penale. “Ne qëndrojmë së bashku, duke kërkuar ndryshim dhe drejtësi”, u shprehën kolektivi feminist në Tiranë.

Femfest 3, një festival feminist i artit dhe kulturës, magjepsi sërish audiencën, duke përforcuar zërat përmes artit, debatit dhe diskutimit.

Kjo platformë jo vetëm që feston arritjet e grave, por edhe bën thirrje për realizimin e plotë të të drejtave të grave. Nëpërmjet shfaqjeve, paneleve dhe bursave, Femfest vazhdon të frymëzojë dhe fuqizojë.

FemFEST është festival feminist arti dhe kulture i krijuar nga BASH ART që nisi në Tiranë, Shqipëri në vitin 2022.

I planifikuar të vazhdojë çdo vit, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, festivali synon të ringjallë qëllimin fillestar të 8 Marsit: të shënojë arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave, duke bërë thirrje për arritjen e plotë të të drejtave të grave.