Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, me temën “Gratë, paqja dhe siguria- Vendimmarrja në nivelin lokal.”
Përfaqësuese të institucioneve, organizatave për të drejtat e grave, si dhe anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) e gra të angazhuara në politikë diskutuan dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelin lokal.
Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Lobit për Barazi Gjinore që nga themelimi, drejt përkrahjes së grave në institucione, në politikë dhe procese vendimarrëse, tha se RrGK edhe në vazhdim do të punojë për të fuqizuar Lobin.
Prandaj, anëtareve të Lobit iu ofrua hapësira që të japin sugjerimet e tyre konkrete se si Rrjeti në katër vitet e ardhshme përmes strategjisë së re, mund të kontribuojë në fuqizimin e grave dhe vajzave në nivel lokal dhe në vendimmarrje.
Të ndara në tri grupe ato diskutuan sfidat dhe problemet me të cilat përballen duke dhënë sugjerimet e tyre që mund të përfshihen në Strategjinë e re katërvjeçare të RrGK-së për vitet 2023-2026.
Rogova gjithashtu theksoi se organizatat për të drejtat e grave duhet të vazhdojnë të përkrahin njëra-tjetrën, si dhe gratë në politikë, sidomos në nivelin lokal.
Valbona Sadiku, nga CECD Friends, ka folur për rëndësinë që organizatat lokale të bashkëpunojnë me institucionet lokale në ndërtimin e paqes. Në këtë kontekst ajo përmendi se si rezultat i bashkëpunimit të organizatave për të drejtat e grave dhe kuvendit komunal është arritur që përmes avokimit të planifikohet ndërtimi i objektit të ri për strehimoren për viktimat e dhunës në familje në Mitrovicë.
Ky takim është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.