Me trajnime profesionale, IPVK ndihmon personat e verbër

12 gra dhe burra të verbër ndjekën trajnime për aftësim profesional dhe njohuri bazike të përdorimit të programeve të Microsoft.  

Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës (IPVK), organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, realizoi dy trajnime dhe takime për përfshirjen e personave të verbër dhe të parë të dobësuar në treg të punës, kjo falë mbështetjes të marrë nga Raundi i 14-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me nismën  Dua të bëj një jetë dinjitoze. 

Temat e trajtuara gjatë trajnimeve ishin lidhur me format e komunikimit dhe prezantimit, shkrimit të CV-së dhe Letrës Motivuese, si dhe përdorimin e programeve bazë të Microsoftit, si Word, Excel, Powerpoint. Këto tema u trajtuan nga Hashim Lluminca dhe Shkëlzen Limani, ekspertë të jashtëm. 

“Personat e verbër janë të neglizhuar në çdo sferë të jetës, e në veçanti në qasje në tregun e punës. Përmes kësaj nisme kemi qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të personave të verbër dhe me të parë të dobësuar”, u shpreh Fatbardha Salihu, Drejtore Ekzekutive e IPVK-së. 

Nga janari deri në dhjetor të vitit 2020, IPVK bëri një hulumtim të organizatave dhe analizë të rregulloreve të brendshme. Në kuadër të këtij hulumtimi u realizuan vizita në terren, në 10 ndërmarrje, disa nga të cilat janë: “Ibër Lepenc” Sh. A., Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Stacioni i Autobusëve në komunat e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Gjilanit, Trafiku Urban, Kesco, Komuna e Prishtinës, Ministria e Financave etj. 

Si rrezultat i vizitave në terren IPVK ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Ndërmarrjen komunale NTP “Trafiku Urban”, dhe ka ndikuar që të vendoset sinjalizimi akustikë për të verbër, shenjëzimi i autobusëve me ngjyra kontrast si dhe me shkronja të zmadhuara, si lehtësime për personat me të parë të dobësuar. 

Kjo nismë financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.