Më 16 tetor, sheshi “Mehe Uka” në Mitrovicë u shndërrua në hapësirë solidariteti për gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit. Përmes aktivitetit humanitar “Gatuajmë dhe Mbështesim”, organizuar nga Centre Education and Community Development Friends (CECD Friends), në krye me drejtoren Valbone Sadiku, organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), qytetarë, aktivistë dhe vullnetarë u bashkuan për të ofruar mbështetje konkrete.
Përmes ushqimeve të përgatitura, produkteve artizanale dhe donacioneve, pjesëmarrësit kontribuuan në mbledhjen e mjeteve financiare për gratë që, krahas sfidave shëndetësore dhe emocionale, përballen edhe me vështirësi financiare gjatë trajtimit. Nën thirrjen “Heroinat e Mitrovicës”, kjo nismë rikujtoi rëndësinë e solidaritetit dhe të mbështetjes së vazhdueshme për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Muaji Rozë shërben për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe qasjen në kontrolle e trajtim. Për gratë e prekura, rrugëtimi drejt shërimit mund të përfshijë udhëtime të shpeshta për kontrolle dhe terapi, shpenzime për medikamente, si dhe nevojë për mbështetje emocionale e psikologjike. Prandaj, solidariteti i komunitetit duhet të shoqërohet me përgjegjësi institucionale për të garantuar shërbime shëndetësore cilësore, në kohë dhe të përballueshme.
Përtej aktiviteteve humanitare, CECD Friends angazhohet për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për të drejtat e tyre shëndetësore, dokumentimin e shkeljeve të këtyre të drejtave dhe fuqizimin e tyre për t’i adresuar shqetësimet te institucionet përgjegjëse.
Përmes takimeve me zyrtarë komunalë dhe përpjekjeve avokuese, organizata ka kërkuar përmirësimin e qasjes në kontrolle, terapi dhe shërbime onkologjike në Mitrovicë. Ky angazhim ka kontribuuar edhe në fillimin e ofrimit të mbështetjes financiare nga Drejtoria e Shëndetësisë, në vlerë prej 200 deri në 500 euro, për gratë e prekura nga kanceri, për mbulimin e shpenzimeve të medikamenteve dhe udhëtimit për trajtim në Prishtinë.
Aktivitetit iu bashkua edhe RrGK-ja, duke riafirmuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të drejtat dhe mirëqenien e grave.
Përmes “Gatuajmë dhe Mbështesim”, CECD Friends dhe komuniteti dëshmuan se solidariteti mund të shndërrohet në mbështetje konkrete. Megjithatë, kjo mbështetje duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe të shoqërohet me masa institucionale që u mundësojnë të gjitha grave qasje në trajtim shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm.
Më shumë rreth punës së CECD Friends mund të mësoni në faqen zyrtare në Facebook.
Nëse dëshironi të përkrahni CECD Friends përmes një donacioni, mund ta bëni duke ju shkruar dretjpërdrejt ose përmes sponsorit tonë fiskal, East-West Management Institute (EWMI).
Donacionin mund ta bëni online përmes EWMI.
