NATO dhe RrGGK bashkëpunojnë për zbatimin e Rezolutës 1325 të RKSKB

 Përfaqësuesja speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Mari Skåre dhe ekipi i saj e kanë vizituar RrGGK-në më datë 28 maj. Kemi diskutuar zhvillimet politike në Kosovë, bashkëpunimin e RrGGK-së me Forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe të ardhmen e bashkëpunimit në drejtim të zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në nivel ndërkombëtar. RrGGK-ja ka ofruar informata lidhur me zhvillimet e fundit ligjore dhe politike, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe dinjitetin e grave të cilat kanë vuajtur nga dhuna seksuale gjatë luftës.

“Jeni duke bërë një punë të shkëlqyer,” është shprehur Përfaqësuesja Speciale, Skåre. “Është gjë e mirë që shohim se jeni duke bërë kaq shumë përparime.”
    
RrGGK-ja dhe përfaqësuesja e KFOR-it, Lotta Ekvall, e kanë informuar shkurtimisht Përfaqësuesen Speciale, Skåre, për rolin që ka luajtur  RrGGK-ja në “Trajnimin e Udhëheqëseve Kryesor” të KFOR-it, në të cilin bëjnë pjesë trajnime për pozitën e grave dhe barazinë gjinore në Kosovë. RrGGK-ja do t’ua ofrojë këtë trajnim përsëri komandove të sapo-ardhur më datën 13 qershor.
“Do të na pëlqente që këtë gjë ta shihnim të bëhej në mënyrë më sistematike,” ka thënë Përfaqësuesja Speciale Skåre. “Do të na pëlqente të shihnim më shumë dialog me shoqërinë civile.” Ajo është shprehur se bashkëpunimi midis RrGGK-së dhe KFOR-it për ofrimin e “Trajnimit të Udhëheqëseve Kyçe” do të mund të shërbejë si praktikë mjaft e mirë për të gjitha misionet e NATO-s në çdo vend, përderisa merret në konsideratë konteksti lokal.

NATO kërkon të përfshijë më shumë gra në shoqërinë civile, përmes konsultimeve. Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK-së, Igballe Rogova do të marrë pjesë në një konsultë për zbatimin e politikës së rishikuar të Këshillit të NATO-s për Partneritet Euro-Atlantik (KPEA) për Rezolutën 1325 të KSKB-së më 2 qershor 2014 në Bruksel.