Shoqata e Grave në Mitrovicë për të Drejtat e Njeriut (MWAHR) ka shënuar dhjetë vjetorin e themelimit të saj duke arritur përparim në pjesëmarrjen e grave në proceset e vendimmarrjes dhe të paqes. Kjo organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) angazhohet në ndërtimin e komunikimit të mirë fqinjësor, krijimin e paqes me theks të veçantë në mes grave dhe të rinjve të komunitetit shqiptar dhe serb.
“Qysh në vitin 2013 kur për herë të parë janë organizuar zgjedhjet lokale në komunat veriore të rajonit të Mitrovicës kemi filluar në mënyrë aktive të avokojmë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në pozita vendimmarrëse. Përmes aktiviteteve tona në ngritjen e kapaciteteve të grave në politikë, kemi arritur qysh në vitin 2014 t’i sjellim së bashku gratë kuvendare shqiptare dhe serbe dhe tanimë ato kanë krijuar edhe miqësi në mes vete”, thotë në një intervistë për RrGK-në Vetone Veliu, Drejtore Ekzekutive e kësaj organizate.
Ky bashkëpunim i fqinjësisë së mirë nga ana e asociacionit ka arritur të kalojë edhe kufijtë përmes projekteve ndërkufitare në mes të grave të rajonit të Mitrovicës, Kosovë, dhe distriktit të Rasinit, Serbi, tha Veliu, duke cituar projektet:
‘”Negociatat Beograd – Prishtinë nga perspektiva e grave”; “Gratë për paqen dhe sigurinë, drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, që janë financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të projekteve për Shoqërinë Civile dhe Programin e Medias 2018-2019.
Ndërkaq sa i përket fuqizimit ekonomik të grave sipas zonjës Veliu pozita e grave në vendimmarrje bazohet në kuotën e 30 përqindëshit.
Në Mitrovicë prej 13 drejtorive katër drejtori udhëhiqen nga gratë, kuvendi komunal gjithashtu udhëhiqet për herë të parë nga një grua.
‘’Edhe në komunat veriore, pozita e gruas mund të thuhet se është jo e mirë, zëri i tyre nuk dëgjohet, marrin pozitat e kuvendares direkt me nominimin e partisë, shumë pak me vota të tyre”, tha ajo.
Përmes projekteve të përkrahura nga Fondi i Grave të Kosovës të RrGK-së: E meritoj pozicionin drejtues, 2015, Gra udhëheqëse – 2016, Perspektiva gjinore për planifikim të qëndrueshëm ekonomik – 2021, është arritur që të fuqizohen gratë drejtpërsëdrejti në politikë me ç’rast pesë gra të reja të cilat kanë përcjellë trajnimet në fuqizimin e gruas në politikë, kanë arritur të bëhen anëtare të kuvendeve komunale: dy në kuvendin komunal të Mitrovicës së Jugut, dy në kuvendin komunal të Zvecanit dhe një në atë të Leposaviqit.