Aktiviste, humaniste, një grua që nuk lodhet kurrë, Sanija Murati i ka vënë synim vetes që të fuqizojë dhe të avancojë të drejtat e grave në ekonomi dhe në jetën publike në përgjithësi. Këtë synim ajo po e realizon përmes organizatës joqeveritare “Lady”, të cilën edhe e udhëheqë tash e 18 vite, e të cilën gratë përfituese e quajnë edhe “shtëpia më e ngrohtë këshilluese për gratë.”
Gjatë një bisede me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), zonja Murati tha se duke marrë parasysh pozitën ekonomike të grave në Kosovë, numrin e madh të papunësisë, por edhe hendekun në statistika mes burrave dhe grave në listat e papunësisë, ajo angazhohet që përmes iniciativave të ndryshme të organizatës së saj të ngrisin vetëdijen për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha fushat.
“Vetëm gjatë vitit që e lamë pas, kemi punuar me 1018 gra dhe të rinj. Gjithashtu organizata jonë numëron 120 vullnetarë të cilët janë rregullisht të kyçur në baza vullnetare në aktivitetet tona të përditshme. Gjithashtu përveç stafit të rregullt, kemi të angazhuar edhe ekspertë të jashtëm që ofrojnë mundësi për zhvillim në të gjitha fushat që janë me interes për anëtaret tona”, tha ajo.
Zonja Murati tutje theksoi se interesimi i grave për punësim në vend është tejet i madh. Kjo siç tha zonja Murati, bazuar në rezultatet dhe të arriturat në ofrimin e opsioneve dhe zgjidhjeve të përshtatshme por edhe sukseseve të grave që kalojnë nëpër dyert e OJQ “Lady”. Ajo thotë se sa herë që organizohen tubime sallat janë të stërmbushura me gra të cilat kërkojnë mundësi për t’u aftësuar dhe zhvilluar më shumë.
“Bazuar në misionin e organizatës tonë ne zbatojmë projekte të ndryshme, ndërsa këto kohë qëllimet dhe aktivitetet e organizatës përputhen pikërisht me nevojat e grave të cilat ato i konsiderojnë prioritet për të ndërtuar një ambient më të mirë dhe të suksesshëm në jetën, karrierën dhe familjet e tyre”, tha zonja Murati.
Përgjatë gjithë këtyre viteve punë dh angazhim, tashmë OJQ Lady ka krijuar një rrjet grash që bëjnë punime të ndryshme artizanale, marrin pjesë në trajnime të ndryshme dhe arrijnë të krijojnë të ardhura përmes këtyre angazhimeve. “Lady” gjithashtu ka arritur të zgjerojë bashkëpunimin dhe të krijojë partneritete të reja edhe me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke e përmbyllur një vit me sfida dhe suksese, OJQ Lady në dhjetor të vitit 2022 ka bashkë-organizuar me zyrën e Zëvendëskryeministres Emilija Redžepi një ceremoni për ndarjen e çmimit Kurora e Suksesit, dedikuar grave që kanë dhënë kontribut të veçantë për vendin, punën dhe sakrificën e tyre.