OJQ ‘’You Can Do’’ mban fokus grupet me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara në Ferizaj dhe Prishtinë

Organizata përfituese e Roundit të 17-të ‘’You Can Do’’ ka mbajtur me datën 9 nëntor fokus grupin e dytë me vajza dhe gra me aftësi të kufizuara mendore, në kuadër të nismës “Promovimi i mekanizmave shtetërorë që gratë dhe vajzat me nevoja të veçanta të jetojnë pa abuzime seksuale”.

OJQ ‘’You Can Do’’ ka angazhuar një psikologe që të takohet me vajza gra me aftësi të kufizuara mendore të komunës së Ferizajit dhe Prishtinës, në mënyrë që të diskutojë dhe kuptojë më shumë rreth përvojave të tyre si persona me kuzifim mendor dhe të zbulojë rastet e abuzimeve seksuale tek këto vajza dhe gra.

Të gjeturat nga këto diskutime grupore janë shkruar në dy raporte të ndara për secilin grup dhe do të shfrytëzohen në raportin e hulumtimit bashkë me gjetjet e tjera.

Të dhënat e nxjerra nga takimet dhe korrespondenca e‘’You Can Do’’ me përfaqësuesit e Qendrave të Shëndetit Mendor, zyrtarëve policorë, prokurorisë së dy komunave të targetuara dhe organizatave për personat me aftësi të kufizuara, tregojnë se numri i abuzimeve seksuale, keqtrajtimeve, ofendimeve, diskriminimeve dhe rasteve ku është ushtruar dhunë fizike e psiqike mbi personat me aftësi të kufizuara mentale është tejet i lartë dhe shqetësues, veçanërisht tek vajzat dhe gratë e kësaj kategorie.

Historitë e ndara nga pjesëmarrëset e fokus-grupeve, por edhe takimet e psikologes me punëtorët socialë e infermierët e qendrave të shëndetit mendor, zbulojnë se pavarësisht numrit të madh të abuzimeve dhe keqpërdorimeve të vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara mendore, shumë pak raste raportohen në polici, e edhe më pak raste përfundojnë në gjykatë.

Këto raste mbesin të pazgjidhura dhe i legjitimojnë sjelljet e tilla dhe keqpërdorimin e personave me aftëzi të kufizuara, thekson psikologia, e cila bazuar në takimet me infermierët dhe punëtorët socialë ka zbuluar se rastet e dhunimit, keqtrajtimit dhe abuzimit seksual janë raste të cilat përsëriten vazhdimisht dhe me të cilat vajzat dhe gratë e kësaj kategorie përballen me dhjetra herë përgjatë jetës së tyre.

Fokus grupet me gratë në qendrat e shëndetit mendor kanë vënë në dukje që seancat psikologjike grupore, por edhe seancat psiko-sociale individuale janë më se të nevojshme për këto vajza dhe gra.

Psikologia dhe punëtorët e dy qendrave të shëndetit mendor (Ferizaj dhe Shtime) kanë shpjeguar se shumë nga gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në fokus grupe janë të diagnostifikuara me skizofreni, dhe kjo në shumë raste ua pamundëson atyre që kërkesat, ankesat dhe paditë t’u merren me seriozitet.

Mosbesimi në deklaratat e viktimave të kësaj kategorie, jo vetëm që i viktimizon ato edhe më tepër dhe ndikon në shtypjen dhe dhunimin e mëtutjeshëm institucional e shoqëror, por edhe e bënë më të lehtë për dhunuesit e abuzuesit seksual që të vazhdojnë së abuzuari këto vajza dhe gra.

‘’You Can Do’’ parasheh që në fund të projektit dhe raportit të hulumtimit të vijë edhe me rekomandime konkrete për institucionet e shëndetit mendor dhe akterët e tjerë për parandalimin e keqpërdorimeve dhe abuzimit, masat që duhet të ndërmerren dhe rehabilitimin e viktimave.

OJQ “You Can Do” ka realizuar këtë aktivitet si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.