Më 6 maj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në bashkëpunim me Institutin për Kontratën Shoqërore (SCI) në Shqipëri, organizoi shfaqjen e filmit “Loud Enough – Surviving Justice” (Me zë të lartë – Të mbijetosh drejtësinë) në Media Center Prishtina.
I realizuar në kuadër të përvjetorit të pestë të lëvizjes #MeToo, filmi ndjek historinë e Madison Smith, një e mbijetuar e dhunës seksuale nga Kanzasi, dhe përpjekjen e saj për të kërkuar drejtësi dhe për të nxitur ndryshim sistemik.
Madison i mbijeton një sulmi seksual që i rrezikon jetën, por më pas përballet me vendimin e prokurorit lokal për të mos ngritur akuza ndaj autorit. Duke refuzuar të pranojë një sistem drejtësie që shpërfill si provat, ashtu edhe të mbijetuarit, Madison dhe familja e saj nisin një rrugëtim të vështirë. Ata sfidojnë paragjykimet institucionale, kalojnë një transformim të thellë personal dhe, në fund, angazhohen në avokim për të nxitur ndryshime të qëndrueshme.
Pas shfaqjes së kësaj historie të fuqishme, u zhvillua një diskutim me regjisoren Hilary Klotz Steinman; ish-prokuroren Julie Germann; ish-detekivin e policisë Justin Boardman; si dhe prokuroren e Kosovës Mimoza Shala, e cila punon me raste të dhunës seksuale.
Pjesëmarrësit, si fizikisht ashtu edhe online, zhvilluan një diskutim të thellë mbi drejtësinë, llogaridhënien, mbështetjen e viktimave dhe rëndësinë e vendosjes së zërit të të mbijetuarve në qendër.
Duke reflektuar mbi situatën në Kosovë, Mimoza Shala u shpreh: “Viktimat në fillim janë të painformuara se ku të drejtohen. E dinë që fillimisht duhet të shkojnë në polici, por përveç policisë nuk dinë ku të vazhdojnë më tej. Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ofron mbrojtje falas, por kjo nuk mjafton duke pasur parasysh traumat që viktimat përjetojnë.”
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu masat për të rritur numrin e rasteve që realisht përfundojnë me dënime. “Përmirësimi i legjislacionit sa i përket pëlqimit do të ndihmonte në shumicën e vendeve”, tha Julie Germann. “Mundësia për të vërtetuar se nuk ka pasur pëlqim do të ndihmonte”. Megjithatë, problemi qëndron edhe me paragjykimet, mungesën e njohurive, si dhe me normat dhe qëndrimet e dëmshme. “Të gjithë duhet të punojmë për të ndryshuar normat që normalizojnë dhunën seksuale në komunitetin tonë”, theksoi Julie. “Kur ta bëjmë këtë, viktimat nuk do të kenë më frikë të flasin.” “Duhet të fillojmë me edukimin e fëmijëve tanë, por edhe të fqinjëve dhe miqve tanë.”, shtoi Justin Boardman.
“Në historinë e Madison-it, gjëja e parë që ndodhi ishte se ajo iu rrëfye një mikeshe, e cila nuk e gjykoi, por e dëgjoi”, tha regjisorja Hilary Klotz Steinman. “Duke marrë mbështetje nga familja, ajo u ndje mjaftueshëm e sigurt për t’iu drejtuar policisë.”
Ngjarja pasqyroi një mirëkuptim të përbashkët se ndryshimi i vërtetë kërkon si reforma institucionale, ashtu edhe angazhim kolektiv. Histori si ajo e Madison-it nuk duhet të mbeten normë, por të shërbejnë si nxitje për sisteme më të drejta dhe më efektive në reagim ndaj rasteve.
A jeni ju, apo njihni dikë që po përjeton dhunë? Kontaktoni RrGK-në në +383 48 105 800 për mbështetje.
