Miratuar në maj 2026, Ligji për banimin social dhe të përballueshëm shënon një hap të rëndësishëm përpara në rregullimin e qasjes në banim për individët dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike ose sociale. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kontribuoi në përmirësimin e Ligjit përmes komenteve të detajuara të dorëzuara gjatë procesit të konsultimit në vitin 2022. Kontributi i RrGK-së u fokusua në sigurimin që Ligji t’i adresojë më mirë realitetet e jetuara të grave, të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore dhe grupeve të tjera të cenueshme, si personat me aftësi të kufizuara, të cilët shpesh përballen me pengesa në qasjen në strehim të sigurt dhe të qëndrueshëm.
RrGK theksoi rëndësinë që ligji të jetë më i ndjeshëm ndaj aspektit gjinor, më i qasshëm dhe më gjithëpërfshirës për personat që kanë më së shumti nevojë për të. Në përgjithësi, rreth një e treta e komenteve të dorëzuara nga RrGK u reflektuan në ligjin përfundimtar të miratuar. Këto ndryshime kontribuojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e praktikave diskriminuese në përdorimin e gjuhës dhe në përmirësimin e qasjes në banim për grupet e cenueshme.
Për shembull, RrGK propozoi që termi “kryefamiljar” të hiqej, pasi mund të kontribuojë në diskriminim gjinor në qasjen ndaj të drejtave të banimit dhe në vendimmarrjen brenda familjes. Kjo terminologji u hoq nga drafti përfundimtar, duke kontribuar në një përkufizim më të ndjeshëm në aspektin gjinor dhe më gjithëpërfshirës të përfituesve.
RrGK gjithashtu kërkoi sqarime shtesë lidhur me obligimet për pagesën e qirasë për personat që përfitojnë nga programet e banimit social. Draftligji ishte i paqartë dhe nënkuptonte se grupet e cenueshme, përfshirë të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, personat që marrin asistencë sociale dhe personat me aftësi të kufizuara, mund të obligoheshin të paguanin qira pavarësisht gjendjes së tyre financiare. RrGK vuri në dukje se kërkesa të tilla do të krijonin barriera shtesë për personat që tashmë përballen me vështirësi ekonomike. Ligji përfundimtar është shumë më i qartë sa i përket skemave të banimit social dhe të përballueshëm, si dhe përgjegjësive të komunave, duke përcaktuar se subvencionimi komunal i qirasë për banim është 50%.
Një rekomandim tjetër theksoi nevojën që vendimet lidhur me mbështetjen për banim të bazohen në nevojat reale të përfituesve. RrGK vuri në pah se kriteret strikte financiare mund të përjashtojnë të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, të cilat mund të kenë nevojë për mbrojtje dhe siguri në strehim edhe në rastet kur gjendja e tyre financiare nuk është domosdoshmërisht e rënduar.
Megjithëse ligji përfundimtar nuk i përfshin plotësisht të gjitha rekomandimet e propozuara, ai reflekton njohje dhe përfshirje më të mirë të grupeve të cenueshme. RrGK mbetet e përkushtuar të vazhdojë avokimin për ligje dhe politika gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj aspektit gjinor, që u përgjigjen nevojave të të gjithë individëve, si dhe për ndarjen e buxheteve adekuate që mundësojnë qasje në banim social për ata që kanë më së shumti nevojë.
