OPDMK shënon Javën e Distrofisë Muskulare

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) ka shënuar Javën e Distrofisë Muskulare 2020 me realizimin e një video vetëdijësuese, përmes së cilës vajza dhe gra me aftësi të kufizuara tregojnë përjetimet dhe vështirësitë që ato hasin vazhdimisht.  

Video ka qenë mënyra më e përshtatshme duke pasur parasysh situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19.  

Kjo gjë u bë e mundur falë përkrahjes së marrë nga nisma katër vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, në bashkëpunim me RrGK-në, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.   

Antigona Shestan, Drejtore Ekzekutive e OPDMK-së ka folur lidhur me rëndësinë e kësaj nisme në jetësimin e objektivave të OPDMK-së.  

“Në vend të aktiviteteve të zakonshme sportive dhe rekreative, këtë vit përmes videos kemi synuar që të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes te qytetarët e Kosovës lidhur me gjendjen e personave me distrofi muskulare. Falë mbështetjes së marrë nga Zyra e BE-së në Kosovë, përmes kësaj video vetëdijësuese zëri i grave me distrofi muskulare u dëgjua më shumë, duke pasur parasysh që kjo video kishte edhe mbulueshmëri mediale”, tha ajo.  

OPDMK çdo vit ka ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e të drejtave të këtij komuniteti, kurse për rëndësinë e shënimit të Javës së Distrofisë Muskulare flet edhe Resmije Rrahmani, Mobilizuese në kuadër të këtij projekti në OPDMK.  

“Shënimi i kësaj jave është shumë i rëndësishëm për njerëzit me distrofi muskulare si dhe familjet e tyre. Kështu nxjerren në pah vështirësitë dhe pengesat që hasin njerëzit  me distrofi. Dua të theksoj se i rëndësisë së veçantë është fakti se u kemi dhënë hapësirën e merituar vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.” 

Një nga vajzat që jep mesazh përmes kësaj video është edhe Pranvera Musaj nga Suhareka.  

“Sado që në kushte pandemie, u munduam që të bëjmë diçka për të shënuar këtë javë, që sado pak të bëjmë një hap para duke i shtyer edhe vajzat e tjera që janë sikur ne që të mos heqin dorë asnjëherë nga ëndrrat e tyre, sidomos nga shkollimi e punësimi”, shprehet Musaj, duke shtuar se është e bindur që kjo nismë do të ndikojë për ndryshime pozitive në shoqëri.  

Në kuadër të kësaj nisme OPDMK ka hartuar edhe Strategjinë Avokuese për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara.  

Kurse, videon e plotë për Javën e Distrofisë Muskulare mund ta ndiqni KËTU.  

LEXO EDHE:  

OPDMK avokon për pjesëmarrjen e grave me aftësi të kufizuara në politikë 

OPDMK synon fuqizimin e pjesëmarrjes së grave me aftësi të kufizuara në politikë  

Realizimi i kësaj video si dhe kjo nismë mbështeten nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.