OPDMK synon fuqizimin e pjesëmarrjes së grave me aftësi të kufizuara në politikë

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) më 5 korrik në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian (BE) “Europe House” në Prishtinë ka mbajtur sesionin e tretë informues me radhë, në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.

Ishin mbi 20 pjesëmarrëse nga Handikos, Shoqata e të Verbërve, Grupi i Grave nga Shoqata e të Shurdhërve, si dhe Gra me Aftësi të Kufizuara nga rajoni i Prishtinës.

OPDMK-ja është pjesë e kësaj nisme katër vjeçare e cila zbatohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me Ruka Ruci, Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA) si dhe mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Drejtorja e OPDMK-së, Antigona Shestan ka njoftuar të pranishmet me këtë nismë, duke çmuar kontributin e RrGK në fuqizmin e organizatës së saj dhe arritjen e objektivave.

“Kjo nismë synon të kontribuojë në objektivën e përgjithshme për të forcuar angazhimin qytetar, barazinë gjinore dhe demokracinë gjithëpërfshirëse përmes pjesëmarrjes në mënyra të ndryshme të grave në politikë dhe vendimmarrje në Kosovë. OPDMK-ja ka ndërmarrë shumë hapa të mëdhenj përmes fondeve të RrGK-së, kështu kemi punuar për avancimin e pozitës së grave me aftësi të kufizuara”, u shpreh Shestan.

Kurse, Vesa Zatriqi, Koordinatore e Projektit në RrGK ka folur për aktivitetet si dhe rezultatet e pritura nga zbatimi i kësaj iniciative.

“Kjo nismë zyrtarisht do të përfundojë pas një periudhe katër vjeçare, mirëpo qëllimi ynë i përbashkët është që ndikimi i nismës të mos përfundojë me aq. Puna dhe aktivitetet për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë do të lënë gjurmë edhe pas përfundimit të iniciativës së mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë”, u shpreh ajo.

Zatriqi përmes një diskutimi interaktiv me të pranishmet po ashtu ka njoftuar ato me iniciativat e Lobit për Barazi Gjinore (Lobi) dhe Koalicionit për Barazi (KB).

Kurse, Resmije Rrahmani, OPDMK, ka folur për përvojën e saj të bashkëpunimit me RrGK-në.

“Rrjeti i Grave të Kosovës gjithmonë na ka pranuar, edhe mua si individ, por edhe ne si organizatë”, ka vlerësuar ajo.

Pjesëmarrëset e këtij takimi diskutuan bashkërisht edhe për mundësinë e përfitimit nga thirrja e Fondit të Grave të Kosovës (FGK).

Ky takim dhe kjo iniciativë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

LEXO EDHE:

Koalicioni për Barazi diskuton për “Fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë”.

OPDMK avokon për pjesëmarrjen e grave me aftësi të kufizuara në politikë.