Organizatat për të Drejtat e Grave Inkurajojnë BE-në të Përfshijë më Shumë Perspektivën Gjinore në Raportin për Kosovën 

Sot, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ndau me Zyrën e Bashkimit Evropian komentarin, “Një Lexim Gjinor i Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2024,” përgatitur së bashku me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Komentari shqyrton se sa i kushton vëmendje barazisë gjinore Raporti i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2024 dhe përfshin rekomandime të dhëna nga organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave (OShG-të). Komentari vëren se Raporti i vitit 2024 përfshin më pak perspektivë gjinore krahasuar me vitet e kaluara. Ndërsa kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të formatit të ri dhe më të shkurtër të Raportit, kishte disa mundësi për të integruar më mirë barazinë gjinore në kapitujt e ndryshëm të Raportit. 

RrGK konstatoi se vetëm 3% e kapitujve të Raportit i kushtojnë vëmendje në mënyrë të kënaqshme barazisë gjinore, ndërsa 24% e bëjnë këtë pjesërisht, dhe 73% e anashkalojnë tërësisht. Raporti nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme nevojës për vlerësime të ndikimit gjinor për të informuar reformat legjislative apo për të institucionalizuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Disa kapituj nuk përmbajnë asnjë perspektivë gjinore, edhe pse ajo mund të ishte përfshirë, si në kapitujt për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore dhe Bashkëpunim Rajonal; Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; Standardet Evropiane për Tregun e Brendshëm, Agjendën e Gjelbër dhe Lidhjen e Qëndrueshme, Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin, dhe Marrëdhëniet e Jashtme; Marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës; dhe të Dhënat Statistikore. Mungesa e vëmendjes ndaj Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS) në kapitujt e sigurisë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dhe marrëdhëniet BE-Kosovë është veçanërisht shqetësuese. Raporti shpesh nuk përmban të dhëna të ndara sipas gjinisë dhe një qasje ndërsektoriale, sidomos në lidhje me gjininë dhe banorët ruralë, fëmijët, serbët, romët, ashkalitë, egjiptianët dhe personat me aftësi të kufizuara.  

Raporti trajton barazinë gjinore në lidhje me gjyqësorin, të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar, politikat sociale dhe të punësimit, dhe shkencën dhe kërkimin. 

Megjithatë, vetëm 43% e rekomandimeve të RrGK-së u përfshinë, një rënie e madhe nga 70% në vitin 2023. 

RrGK kërkon që KE-ja të përfshijë në raportet e ardhshme: analizë gjinore ndërsektoriale të përmirësuar dhe të dhëna të ndara sipas gjinisë në të gjithë kapitujt; rekomandime për institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si pjesë e reformave të financave publike; përmirësim të vëmendjes ndaj Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe analizës së konfliktit me qasje gjinore; adresimin e dhunës me bazë gjinore në kapitujt e sundimit të ligjit dhe të politikave sociale me rekomandime konkrete; presion ndaj qeverisë për të publikuar rregullisht të dhëna administrative të ndara sipas gjinisë dhe për të finalizuar Indeksin e Barazisë Gjinore; sigurimin e masave afirmative të bazuara në Ligjin për Barazinë Gjinore në rekrutimet meritore; promovimin e një tranzicioni digjital të përgjegjshëm gjinor dhe adresimin e reformave ligjore për të trajtuar më mirë dhunën kibernetike me bazë gjinore; dhe vazhdimin e konsultimit me OShG-të për mënyrën se si të integrohet më mirë një perspektivë gjinore në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në raportin e KE-së për Kosovën. 

Këtu mund të gjeni Komentarin e plotë dhe një përmbledhje