Më 28 janar organizata Psikoterapeutët në Veprim (PEA) realizoi vizitën e radhës në kuadër të nismës “Avancimi i kujdesit paliativ në Kosovë dhe sensibilizimi i komunitetit për personat me nevoja të veçanta”.
Me këtë rast u vizitua një familje pesë anëtarëshe në fshatin Pidiq të Gjilanit. Pas disa vizitash Doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi së bashku me ekipin mjekësor kanë kontrolluar gjendjen shëndetësore të të gjithë anëtarëve, duke u dhënë edhe këshilla për hapat e mëtutjeshëm.
Familjarët u shprehën të kënaqur nga kjo nismë, përderisa treguan se është hera e parë që diçka e tillë po realizohet në këtë fshat.
Përveç banorëve, të mirat e kësaj iniciative i ka përmendur edhe Doktoresha Ahmeti-Ibrahimi, e cila tregoi se përmes këtyre vizitave kanë arritur që të bëjnë edhe zbulime të hershme të sëmundjeve, gjë kjo e cila ndikon edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.
Kurse, Drejtorja e PEA, Sevdije Musliu u shpreh se edhe pse janë ende në zbatim e sipër të kësaj nisme, megjithatë kjo kohë ka mjaftuar që përfitues nga kjo mundësi të jenë një numër i madh i qytetarëve të të gjitha moshave.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).