Më datën 27 maj, rreth 150 gra e kanë mbushur plot zyrën e OJQ-së “Vita Jeta” për të dëgjuar një ligjeratë për osteoporozën.
“Osteoporoza është një sëmundje avancuar e eshtrave e cila karakterizohet nga rënia e masës dhe densitetit të eshtrave, dhe rrit në këtë mënyrë rrezikun për fraktura,” ka thënë Ajshe Nuhiu, Drejtoreshë Ekzekutive e Vita Jetës. “Është e rëndësishme që të gjitha gratë të informohen për këtë sëmundje. Gjithashtu jemi duke planifikuar të sjellim javën tjetër një pajisje për të testuar nëse gratë vuajnë nga kjo sëmundje.”
Zyra e Vita Jetës ishte mbushur plot me gra të cilat dëshironin të dinin më shumë për këtë sëmundje.
“Kemi mësuar shumë gjëra që nuk i dinim. Doktoresha ishte shumë e qartë”, tha një pjesëmarrëse.
Vita Jeta synon të ndihmojë sa më shumë gra që të jetë e mundur për të gjetur nëse vuajnë nga osteoporoza dhe për t’iu siguruar atyre trajtim. Meqenëse pjesa më e madhe e 1,000 e ca anëtarëve të organizatës janë pensioniste, ato janë të ekspozuara ndaj rrezikut të kësaj sëmundjeje. Vetëm pak prej tyre mund të përballojnë shpenzimet për kontrolle të rregullta mjekësore, të cilat do t’iu mundësonin ta zbulojnë sëmundjen në fazat e hershme.
Duke e marrë parasysh këtë çështje, Vita Jeta ka nisur të nënshkruajë një peticion me anë të të cilit kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ofrojë testime mjekësore falas për të diagnostikuar rastet e mundshme të osteoporozës; që Ligji për Sigurimet Shëndetësore të zbatohet në të ardhmen dhe që të miratohet ligji për pensionim. Më shumë sesa 60 gra e kanë nënshkruar këtë peticion gjatë ligjeratës. Në këtë mënyrë, Vita Jeta është duke kërkuar të përfshijë më shumë gra, me qëllim që ato t’i shprehin nevojat dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.
Vita Jeta ka marrë mbështetje për këtë aktivitet nga Fondi i Grave të Kosovës, i cili mbështetet nga Kvinna till Kvinna.