Përfaqësimi ligjor nga RrGK një hap drejt drejtësisë për gratë

Gruaja nga Skenderaj, K.E1, pavarësisht se jetoi me vajzën e saj për dhjetë vjet pas përjetimit të dhunës në familje dhe divorcit, e gjeti veten përballë një beteje të frikshme për kujdestarinë (besimin) e fëmijës. Kjo pasi që ish-bashkëshorti i saj papritmas e paditi për marrjen e së drejtës së kujdestarisë. Por, ndihma e palëkundur e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe avokatit të angazhuar nga RrGK, Fitim Gashit çoi në rrugën drejt fitores në sallën e gjyqit. 

Në fillim të procesit gjyqësor dhe në takimin e parë në mes të RrGK-së, avokatit dhe palës, ajo ishte e frikësuar dhe e tronditur nga kërkesa e papritur për kujdestari nga ish-bashkëshorti i saj, duke marrë parasysh faktin që babai i vajzës nuk ishte interesuar për vajzën për dhjetë vite. Madje, as për ta takuar. 

Duke mos ditur nga të fillonte, K.E u ndihmua që të kuptonte të drejtat dhe procedurat ligjore që lidheshin me kujdestarinë e fëmijës. Avokati, i përkushtuar për t’i ndihmuar K.E. dhe vajzës së saj, ishte i gatshëm t’i ndihmoj dhe ta këshilloj për çdo hap të mëtutjeshëm.  

“Ishte kënaqësi që isha përfaqësues i palës së paditur në këtë rast, për të cilën konsideroj që dhash një kontribut, i cili ekskluzvisht kishte për qëllim mbrojtjen e interesit të fëmijës. Edhe pse ishte një gjykim sfidues, ngase udhëhiqej nga një gjyqtar i papërshtatshëm në raport me avokatët, arritëm së bashku me kolegun, avokatin e palës paditëse, t’i bindim palët që përfaqësonim që të arrihej një  marrëveshje e përbashkët lidhur me çështjen e besimit të fëmijës, kontaktin dhe alimentacionin, ngase vetëm në këtë mënyrë mbrohej interesi i fëmijës”, tha avokati Fitim Gashi. 

Ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë, meqë gjatë gjithë kohës kishte sfida të ndryshme. Pavarësisht rekomandimit të Qendrës për Punë Sociale që, “fëmija duhet të mbetet me prindin që të ardhurat ekonomike janë më të mira”, RrGK paraqiti prova të disponueshme që një prind i përkushtuar dhe i aftë për të ofruar një mjedis të sigurt ka më shumë rëndësi se qëndrueshmëria financiare. 

“Përfaqësuesja e QPS-së në Podujevë, ishte destruktive dhe në vend që ajo të kishte qëllim primar interesin e fëmijës, ajo ishte barikaduar në anën e palës paditëse, duke dhënë mendim që fëmija t’i besohet babait i cili për dhjetë vite nuk ishte interesuar asnjëherë. Kjo ishte shqetësuese për mua si mbrojtës, ngase zyrtarët e QPS-së dijnë shumë shpesh që të jenë të njëanshëm dhe aspak profesional”, shtoi ai. 

Pala kontaktoi për ndihmë tek RrGK në shkurt të vitit 2023 dhe në korrik të po këtij viti, përmes arritjes së një marrëveshje në mes të avokatëve, pala e përfaqësuar nga RrGK fitoi rastin dhe u rregullua çështja e kontaktit të babait me fëmijën. Pala fitoi një betejë të vështirë, por kjo i kishte dhënë fuqi dhe inkurajim për të ardhmen. 

“Jam nda shumë e kënaqur me shërbimin e juaj, përkrahjen, mbështetjen dhe përfaqësimin që më keni ofruar. Mbështetjen që ma keni ofru ju nuk kam mundur ta gjej askund, çka për të cilën kam pasë nevojë më së shumti. Falë juve dhe angazhimit të juaj, unë sot jam me vajzën”, u shpreh K.E.  

Historia e K.E-së dhe ndihma e ofruar nga RrGK, shërbejnë si një frymëzim për shumë gra të tjera që po përballen me sfida të ngjashme në Kosovë. Përmes ndihmës që ofron RrGK, shumë raste të grave që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore, dhunë në familje e dhunë seksuale, kanë çuar në vendime pozitive për palët. Ato u inkurajuan të mos dorëzoheshin dhe të luftonin për të drejtat e tyre.  

Jeta pa dhunë me bazë gjinore, mbetet njëra ndër fushat ku RrGK do të vazhdoj të punoj përmes zbatimit të Strategjisë së saj për vitet 2023-2026. Pjesa më e madhe e punës avokuese të RrGK është mbështetur nga Agjencioni Austriak Për Zhvillim (ADA), në bashkëfinancim me Sida, duke çuar në arritjen e shumë ndryshimeve të rëndësishme drejt mbrojtjes së grave që përjetojnë dhunë me bazë gjinore.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: +383 (0)48 105 800.