Programet

Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është që të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në tërë Kosovën, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare, moshës, nivelit të edukimit, orientimit seksual dhe aftësive.

RrGK e ka vizion një Kosovë në të cilën gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta për arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Strategjia e RrGK-së përfshin gjashtë fusha programatike siç shpjegohen më poshtë. RrGK zbaton Strategjinë e saj në bashkëpunim të ngushtë me 140 organizatat e saj anëtare dhe partnerët.

Problemi

Në Kosovë, gratë përballen me pengesa të mëdha në fuqizimin ekonomik për shkak të qasjes së kufizuar në punësim, pronë dhe vendimmarrje financiare, ndërsa normat kulturore e përforcojnë rolin e tyre si kujdestare dhe dekurajojnë pjesëmarrjen në tregun e punës. Vetëm 21.2% e grave janë aktive në tregun e punës, krahasuar me 55.9% të burrave, dhe burrat janë pronarë të shumicës dërrmuese të ndërmarrjeve. Praktikat diskriminuese të punësimit, mungesa e pushimit të lehonisë me pagesë dhe punësimi i përhapur informal i vendosin gratë në disavantazh. Pavarësisht mbrojtjes ligjore, gratë shpesh heqin dorë nga të drejtat e trashëgimisë, ndërsa mungesa e kujdesit të përballueshëm për fëmijë e kufizon më tej pavarësinë e tyre ekonomike.

Strategjia e RrGK-së

Përmirësimi i kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, me synim afatgjatë që gratë dhe burrat të kenë mundësi të barabarta ekonomike në familje dhe në sferën publike, i realizuar përmes:

  • Rritjes së ndërgjegjes institucionale për përafrimin e legjislacionit të punës me standardet e BE-së dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në vendin e punës;
  • Përmirësimit të qasjes në drejtësi në rastet e diskriminimit në baza gjinore në punë;
  • Nxitjes së strategjive të përgjegjshme gjinore për adresimin e ekonomisë informale;
  • Avokimit për zgjerimin e shërbimeve të kujdesit, veçanërisht në zonat rurale;
  • Rritjes së qasjes së grave në pronë dhe trashëgimi përmes ndihmës juridike dhe reformave;
  • Forcimit të të kuptuarit të nevojave të grave rurale dhe të grave me aftësi të kufizuara nga zyrtarët;
  • Informimit të donatorëve ndërkombëtarë për politikat ekonomike që janë të përgjegjshme ndaj gjinive.

Aktivitetet kryesore

  • Vazhdimi i avokimit për reforma ligjore dhe politike, duke përfshirë ndryshimet në Ligjin e Punës, rritjen e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijë dhe heqja e dispozitave që u lejojnë grave të heqin dorë nga të drejtat e trashëgimisë.
  • Vazhdimi i promovomit të qasjes së përgjegjshme gjinore në subvencionet qeveritare, masat kundër informalitetit dhe shërbimet e kujdesit, duke siguruar parimin “mos bëj dëm”
  • Vazhdimi i bashkëpunimit me Forumin Ekonomik të Grave për të avancuar avokimin e bazuar në dëshmi, të përafruar me Acquis të BE-së për Barazinë Gjinore;
  • Vazhdimi i angazhimit me institucionet përmes takimeve dhe fushatave në rrjetet sociale, për të rritur ndërgjegjen mbi gjetjet e hulumtimeve dhe reformat e nevojshme.
  • Vazhdimi i avokimit për përmirësimin e qasjes në drejtësi në rastet e diskriminimit gjinor në vendin e punës dhe për paga më të larta për asistentët/et personalë/e të personave me aftësi të kufizuara;
  • Vazhdimi i ndikimit te institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët që të rrisin mbështetjen për organizatat e ndryshme të shoqërisë civile dhe që të adoptojnë politika të përgjegjshme gjinore, përmes përmbledhjeve të politikave dhe avokimit rajonal/ndërkombëtar.

Arritjet tona

  • RrGK ndikoi në së paku 18 ligje dhe politika që lidhen me të drejtat e grave në punë dhe fuqizimin ekonomik, duke i përafruar ato më shumë me standardet e BE-së për barazi gjinore;
  • Hulumtimet e RrGK-së, të tilla si “Nën hije” — kanë ndikuar drejtpërdrejt në strategjitë qeveritare dhe diskutimet ndërkombëtare, duke promovuar qasje të përgjegjshme gjinore për punën, informalitetin dhe sistemet e kujdesit.
  • Në vitin 2024, RrGK udhëhoqi 8 iniciativa, duke avokuar për rritjen e qasjes në çerdhe, kujdes për fëmijë dhe kujdesin për të moshuar, veçanërisht në zonat rurale, duke ndikuar në diskutimet kombëtare dhe të BE-së.
  • Si rezultat i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), janë punësuar më shumë se 41 gra, kryesisht nga zonat rurale.
  • RrGK mbështeti mbi 200 raste të shkeljeve të të drejtave në punë dhe informoi mbi 10,000 gra mbi të drejtat e tyre në pronë dhe trashëgimi, ndërsa 335 gra morën mbështetje të drejtpërdrejtë për realizimin e këtyre të drejtave;
  • RrGK rriti ndërgjegjësimin për rëndësinë e regjistrimit të pronës së grave. Si rezultat, 6,088 qytetarë në pesë komuna (3,150 gra dhe 2,938 burra) janë më të vetëdijshëm mbi rëndësinë e regjistrimit të pronës nga gratë, ndërsa 153 gra e kanë filluar procesin e regjistrimit të pronës së tyre;
  • RrGK ka mbështetur afërsisht 30 grupe për të drejtat e grave që t’u ndihmojnë anëtareve të tyre të identifikojnë tregje të reja për produktet e tyre, duke rritur produktivitetin dhe rezultatet. Si rezultat, 223 gra janë trajnuar për të zhvilluar dhe menaxhuar biznese të suksesshme, dhe 125 gra kanë qasje më të mirë në tregje.