Gratë anëtare të OJQ “Krusha e Vogël” vizitojnë “Qendren e Fidaneve” në Koretin të Kamenicës gjatë vitit 2013.

OJQ “Krusha e Vogël” Fuqizon Ekonomikisht Gratë në Zonat Rurale

Anëtaret e OJQ “Krusha e Vogël” shprehën interesin e tyre për të vizituar organizata që merren me bujqësi nëpër komunat tjera.

Ato vizituan “Qendrën e Fidaneve” në fshatin Koretin të Komunës së Kamenicës. Vizita u bë me 23 Korrik, me përkrahje të Grupit Lokal të Veprimit (GLV).
“Kjo vizitë ka për qëllim të përkrahë shkëmbimin e përvojave dhe të mësuarit në fushën e bujqësisë,” tha njëra ndër themelueset e OJQ Krusha e Vogël.
Skender Dervishi dhe Ibrahim Bunjaki, pronarë të kompanisë së fidaneve i mirëpritën gratë. Ata u shpjeguan grave se si e zhvillojnë biznesin e tyre, çfarë fidane kultivojnë dhe detaje të tjera. Ata poashtu organizuan edhe një koktel për delegacionin e Krushës së Vogël. Gratë në këtë mënyrë patën mundësinë të shohin punë konkrete lidhur me atë se si të organizojnë më mirë mbjelljen e fidaneve, si dhe të shohin lloje të reja të fidaneve që nuk i kishin parë më herët.
Pas vizitës së tyre, anëtaret e OJQ Krusha e Vogël udhëtuan për në shtëpi duke përdorur një rrugë ndryshe prej asaj nga kishin ardhur dhe kaluan nëpër malet e bukura të Prevallës. Për shumë gra, ishte hera e parë që ato po shihnin këto male apo edhe që po udhëtonin vetëm me gra të tjera. Përvoja e tyre nuk ishte vetëm edukative, por edhe fuqizuese.
“Trajnimet kanë qenë shumë të rëndësishme për ne,” tha njëra nga anëtaret. “E kjo vizitë ishte diçka shumë e mirë dhe e re për ne. Ne kaluam shumë mirë; dolëm nga rutina jonë e zakonshme dhe mësuam shumë gjëra të reja.”
Të gjitha gratë anëtare të OJQ Krusha e Vogël ishin të përfshira në projektin “Fuqizimi Ekonomik i Grave në Zona Rurale” të përkrahur nga Fondi  i Grave të Kosovës i RrGGK (financuar nga Austrian Development Agency).
Ato vijnë nga fshatra të ndryshme si Hasi, Krusha e Vogël, Randobrava, Pirana dhe Serbica.