Letër për konsultime publike mbi KAB dhe Buxhetin Vjetor

Të nderuar kryetarë komunash,

Të nderuar drejtorë të Departamentit për Buxhet dhe Financa,

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që të gjitha komunat t’i përmbushin obligimet ligjore të përcaktuara me Rregulloren (QRK) nr. 05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik, sipas së cilës kërkohet mbajtja e konsultimeve publike mbi Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe buxhetin vjetor. Konsultimet publike janë thelbësore për transparencën dhe për të siguruar që KAB dhe buxheti vjetor po i reflektojnë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë gratë, burrat, vajzat dhe djemtë. Mungesa e transparencës pengon aftësinë e qytetarëve dhe ekspertëve për të analizuar ndikimin e synuar të buxhetit, veçanërisht në lidhje me barazinë gjinore.

Për të përmbushur këto obligime ligjore dhe për të rritur transparencën në procesin buxhetor, RrGK u bën thirrje komunave që të:

  • Organizojnë dhe reklamojnë dëgjimet publike gjithëpërfshirëse, duke i caktuar ato në kohë të ndryshme dhe në vende ku mund të marrin pjesë një spektër i gjerë grash dhe burrash.
  • Sigurojnë informata të qarta dhe të qasshme rreth buxhetit, duke publikuar online Deklaratën Buxhetore Gjinore, në përputhje me treguesin 5.c.1 e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili duhet të shpjegojë se si buxheti do të kontribuojë në barazinë gjinore. Kjo duhet të bazohet në analizën gjinore dhe të përfshijë objektiva të qarta drejt avancimit të barazisë gjinore në secilin sektor, siç përshkruhet në udhërrëfyesin e miratuar nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike.
  • Publikojnë online në mënyrë transparente të gjitha anekset e buxhetit gjinor, siç kërkohet nga qarkoret buxhetore, duke u ofruar qytetarëve informata se si buxheti synon të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore në komunë në secilin sektor, duke përfshirë qëllime, tregues dhe objektiva të qarta drejt arritjes së barazisë gjinore.

Me zbatimin e këtyre kërkesave dhe zotimeve ligjore, komunat do të mund të kontribuojnë në një proces buxhetor më gjithëpërfshirës që pasqyron më mirë nevojat dhe prioritetet e grave, burrave, vajzave dhe djemve. Kjo qasje do të rrisë transparencën, llogaridhënien, si dhe do të promovojë një shpërndarje më të drejtë të burimeve publike.

Me respekt,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës