Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), OJQ Drugëza kanë mbajtur takimin përmbyllës me temën “Shëndeti riprodhues, shërbimet gjinekologjike, gjetjet nga hulumtimi dhe hapat për të ardhmen”. Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në kujdesin shëndetësor cilësor”
Ky është takimi i gjashtë dhe përmbyllës i projektit “E drejta në kujdesin shëndetësor cilësor” ku pjesëmarrëse kanë qenë rreth 200 gra, duke u informuar rreth shëndetit riprodhues dhe problemeve gjinekologjike në përgjithësi.
Gentiana Zeqiri, koordinatore e projektit tha se pothuajse gjitha vajzat dhe gratë, pjesmarrëse në gjashtë trajnimet e mbajtura, nuk kanë pasur informata të mjaftueshme, lidhur me shëndetin e tyre riprodhues, por edhe problemet gjinekologjike në përgjithësi.
“Informata pothuajse nuk kanë fare, gratë dhe vazjat. Kjo ka dalë edhe në kuadër të takimit fillestar të projektit. Këtë gjë e ka përforcuar edhe hulumitimi që ne e kemi bërë lidhur me këtë temë, ku niveli i informimit dhe kontrolleve që gratë dhe vajzat e kanë bërë ka qenë shumë i ulët. Andaj ne kemi vazhduar me sesionet informuese ku gratë e kanë mirëpritur jashtëzakonisht mirë cdo informatë që është dhënë nga gjinekologia. Kureshtja për të bërë pyetje ka qenë shumë e lartë nga gratë e sidomos vajzat. Mendoj se sado pak niveli i informimit është ngritur e po ashtu gratë dhe vajzat janë vetëdijësuar për rëndësinë e shëndetit riprodhues gjinekologjik,” tha ajo.
Në Komunën e Skenderajt në të tri nivelet e sistemit shëndetësor nuk ka asnjë gjinekolog. Gratë vizitohen në spitalin e Mitrovicës dhe ordinanca private. Diku rreth gjashtë gjinekologë janë në gjithë Skenderajn dhe që të gjithë punojnë në ordinanca private. Andaj kjo ka ngritur shqetësimin te gratë dhe vajzat pasi që edhe shërbimet rrjedhimisht janë të mangëta.
Hana Zabeli drejtore e organizatës Drugëza tha se janë munduar që të përfshijnë sa më shumë gra e vazja e në çdo takim të mbajtur.
“I kemi ftuar gratë e vajzat e ndryshme në takime të ndryshme, në gjithsej gjashtë sa i kemi mbajtur, në mënyrë që të shpërndahet informacioni, sa i përket shëndetit riprodhues dhe gjinekologjik në përgjithësi.
Pesë gra të cilat më herët nuk kanë bërë kontrolle, falë trajnimeve kanë vizituar gjinekologun dhe kanë dalë me probleme e që janë duke u trajtuar.
Nga gjashtë takime në kuadër të projektit, ne kemi informuar rreth 200 gra dhe vajza të cilat nga gjinekologja janë informuar për çdo gjë që ato kanë pasur interes e që më parë nuk i kanë pasur këto informata. Sot përmbyllet projekti dhe mendoj që ka qenë një ndër projektet më të suksesshme”, tha zonja Zabeli.
Ermira Veseli, pjesmarrëse në trajnim tha se sa herë që ka marrë pjesë në takime të tilla kanë qenë frytdhënëse dhe shumë informuese.
“Sa herë që kam ardhur në trajnime, kemi marrë informata nga gjinekologja e cila ka qenë trajnere. Ne në moshë të hershme nuk e kemi ditë që bën me shku te gjinokolgu, për shkak të mentalitetit, jemi paragjyku si vajza. Gjithmonë na kanë thënë që në moshë të re nuk bën të shkosh te gjinekologu. Por kemi arrit ta kuptojmë që edhe vajzat e reja duhet të bëjnë kontrolle gjinekologjike, të marrin informata për shëndetin riprodhues, sëmundjet seksuale të transmetueshme e shumë informata të tjera. Andaj mendoj se këto takime janë shumë të nevojshme për vajzat por edhe gratë në përgjithësi”, tha ajo.
Drugëza realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).