Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), bashkë me pesë organizata partnere nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, janë duke zbatuar projektin rajonal “Luftimi i Diskriminimit, Përmirësimi i të Drejtave të Grave në Punë” i cili financohet nga Bashkimit Evropian (BE). Projekti ka për synim konsolidimin e rrjeteve rajonale të organizatave të shoqërisë civile. RrGK është duke bashkëpunuar me këto pesë partnere nga pesë shtete të rajonit dhe projekti është i fokusuar në fuqizimin e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile në Evropën Juglindore që të mbajnë përgjegjëse institucionet përkatëse drejt zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi në lidhje me të drejtat e grave në punë.
Në kuadër të këtij projekti, përpos aktiviteteve tjera të shumta, është paraparë të zhvillohet një hulumtim mbi zbatimin e ligjit kundër diskriminimit, veçanërisht lidhur me të drejtat e grave në punë. Të dhënat e dalura nga hulumtimi do të shërbejnë si matës se sa është i përhapur diskriminimi gjinor në tregun e punës dhe njëkohësisht do të ofrojnë sugjerime konkrete në drejtimin ku duhet vepruar. Një pjesë e rëndësishme e këtij hulumtimi është pyetësori anonim për qytetarët e vendeve përkatëse, përmes të cilit secila organizatë partnere në rajon do të masë, ndër të tjera, se sa është i përhapur diskriminimi gjinor në tregun e punës.
Gjatë nëntorit, RrGK në Kosovë, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim në Shqipëri, Fondacioni Kvinna till Kvinna në Serbi, Reactor – Research in Action në Maqedoni, Qendra për të Drejtat e Grave në Mal të Zi, dhe Helsinki Citizens’ Assembly Banja Luka në Bosnje dhe Hercegovinë, lansuan pyetësorin online për qytetarët përmes së cilit synohet të mblidhen të dhëna rreth diskriminimit në punë, në veçanti mbi atë se si diskriminimi mund t’i prekë ndryshe gratë dhe burrat.
Ekipet hulumtuese bashkarisht po punojnë në fazën e përpunimit të të dhënave nga intervistat me institucione relevante dhe nga pyetësorët. Raporti hulumtues pritet të lansohet gjatë muajve të parë të vitit 2019.