Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është thellësisht i shqetësuar për miratimin e Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 nga ana e Qeverisë dje, duke qenë se nuk është mbajtur një konsultim publik, siç kërkohet nga Rregullorja (QRK) Nr. 17/2024 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Më 15 tetor, RrGK i dërgoi një letër të hapur Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, duke kërkuar që Projektligji për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 t’i nënshtrohet procesit të konsultimit publik.
Konsultimet publike janë thelbësore për transparencë dhe për të siguruar që projektligji të pasqyrojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë gratë, burrat, vajzat dhe djemtë. Kjo mungesë transparence gjithashtu i pengon qytetarët dhe ekspertët të analizojnë ndikimin e synuar të buxhetit, si dhe kufizon informacionin për arsyet e përdorimit të buxhetit që vjen nga taksat e tyre. Ne bëjmë thirrje për një transparencë më të mirë të qeverisë në të ardhmen!