Më 11 prill në Qendrën Informative të Bashkimit Evropian në Shkup, Reactor – Hulumtim në Veprim (Reactor – Research in Action) ka promovuar raportin e ri hulumtues për Diskriminimin me Bazë Gjinore dhe Punësimin në Maqedoninë e Veriut.
Raporti analizon mangësitë në kuadrin ligjor i cili trajton diskriminin gjinor dhe të drejtat në punësim; përhapjen dhe natyrën e diskriminimit gjinor në tregun e punës, shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa; trajtimin institucional të këtyre rasteve; si dhe përmban rekomandime për përmirësimin e kornizës ekzistuese ligjore, praktikave dhe mekanizmave institucional për mbrojtjen ndaj diskriminimit gjinor në punësim si dhe në qasjen në punë.
Të gjeturat e këtij studimi tregojnë se diskriminimi me bazë gjinore ndikon më shumë te gratë se që ndikon te burrat.
“Për të mos e humbur punën, isha e detyruar të kthehem në punë 14 ditë pas lindjes.” “Në një intervistë pune më thanë se puna që bëjnë ata nuk mund të bëhet nga gratë, sepse gratë janë më pak intelegjente se burrat.” “Në pozitën e njejtë të punës, me të njejtat përgjegjësi si dhe me të njejtin nivel të shkollimit, unë kam fituar 3,000 denarë më pak se kolegët e mi burra.” – këto janë vetëm disa nga dëshmitë e punëtoreve gra të anketuara në këtë hulumtim.
Diskriminimi gjinor me të cilin gratë përballen në punë duket se është i nxitur nga seksizmi dhe stereotipet gjinore, të cilat sygjerojnë se “Rolet riprodhuese dhe kujdestare, si dhe kujdesi ndaj shtëpisë i tyre [grave] bien ndesh me ambientin e punës, si dhe përceptohen nga menaxherët dhe punëdhënësit si pengesa për zhvillimin e karrierës si dhe përparimin. Shtatëzania mbetet një lëvizje e rrezikshme në karrierë dhe gratë shpesh herë detyrohen të zgjedhin ndërmjet karrierës dhe fëmijëve – vendim ky i cili nganjëherë është i paracaktuar për to nga punëdhënësit. Vetëm sepse janë gra, ato ndëshkohen me pozita më të ulëta të punës (barriera në ngritjet në pozitë) si dhe me paga më të ulëta krahasuar me burrat.
Gjetjet e studimit tregojnë se vetëm pak raste të diskriminimit gjinor ndaj grave në punë janë raportuar te mekanizmat e ndryshëm që janë në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi.
Institucionet përgjegjëse për trajtimin e diskriminimit gjinor në punë kanë mungesë të të dhënave për përhapjen e këtij diskriminimi.
Nuk mund të dihet sa me saktësi është i përhapur diskriminimi me bazë gjinore, kjo për shkak se rastet shpesh herë mund të mos raportohen. Akterët e intervistuar supozojnë se diskriminimi me bazë gjinore nuk raportohet për shkak se ka mungesë të njohurive se ku duhet raportuar, si dhe për shkak të mungesës së besimit në institucione dhe proceseve të gjata dhe të shtrenjta për të dëshmuar këtë diskriminim.
Paneli ishte i përbërë nga; Sophie Beaumont, Menaxhere e Programit për Arsim, Barazi Gjinore dhe të Drejta për Personat me Aftësi të Kufizuara në Delegacionin e Bashkimit Evropian; Jovana Trenchevska, Sekretare e Shtetit, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale; Olivera Lazarevska, Inspektoriati Shtetëror i Punës; Kristina Ampeva, Glasen Tekstilec; dhe Glasen Tekstilec; Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Ky hulumtim është pjesë e iniciativës regjionale “Promovimi i të Drejtave të Punës për Gratë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), dhe Suedia/Sida zbatuar në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor (Maqedoni e Veriut, Serbi, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Mal të Zi). Hulumtimi është kryer në fund të vitit 2018.