Përgjatë muajit shkurt, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka marrë pjesë në tri punëtori tematike:
“Rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikë-bërje”, “Rritja e vullnetarizmit për programet me interes publik” dhe “Zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktim të OShC-ve” organizuar nga platforma CivKos në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, bazuar në katër objektivat e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga niveli lokal dhe qendror. Fillimisht në këto takime është bërë prezantimi i të gjeturave lidhur me zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile për vitin 2022.
Bazuar në të gjeturat nga monitorimi i Strategjisë, zyrtarja e Programit në RrGK, Etleva Malushaj, ritheksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja aktive e OSHC-ve në krijimin e politikave publike. Tutje ajo ngriti disa pika sa i përket konsultimeve publike.
“Meqë kjo është një nga mënyrat e mira të përfshirjes edhe të qytetarëve në politikë-bërje, është e domosdoshme që të bëhet rekrutimi i zyrtarit për konsultime publike dhe të mbahen sesione informuese për OJQ-të ashtu siç parashihen me Strategji.”
Sipas saj kjo do të ndihmonte në një organizimin më të mirë të këtyre konsultimeve. Po ashtu, duhet të bëhet përfshirja më e madhe e palëve të interesit me theks organizatat që punojnë për të drejta të grave dhe gjetja e një mundësie sa më të mirë për të rritur pjesëmarrjen në konsultime publike.
Sa i përket rritjes së vullnetarizmit, vëmendje duhet t’i kushtohet hartimit të kornizës ligjore për rregullimin e kësaj fushe. Është konsideruar e domosdoshme që të insistohet në finalizimin e koncept dokumentit mbi vullnetarizmin. Puna vullnetare është jashtëzakonisht e rëndësishme në ngritjen e solidaritetit shoqëror.
Në punëtorinë tematike për zhvillimin e praktikave dhe procedurave për kontraktimin e OShC-ve në ofrimin e shërbimeve publike mori pjesë edhe znj. Adile Shaqiri, Udhëheqëse e Divizionit të Shërbimeve Sociale në Ministrinë e Drejtësisë për të diskutuar rreth procesit të bartjes së shërbimeve sociale nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Ministrinë e Drejtësisë.
Malushaj theksoi se OSHC-të kanë një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve. Prandaj është e domosdoshme që të vazhdohet dialogu me to lidhur me praktikat dhe modalitetet për angazhim afatgjatë të OSHC-ve në ofrimin e shërbimeve sociale.